Miratohen shpronësimet për projekte infrastrukturore në Elbasan, Shkodër dhe Mat

TIRANË, 1 prill/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme shpronësimin për interes publik të disa pasurive të paluajtshme që preken nga projekte infrastrukturore.
Kështu, u miratua shpronësimi për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga realizimi i projektit “Studim, projektim, aksi rrugor Elbasan-Lekaj, korridori 8, loti I (faza I, II, III) Elbasan – Papër”.
Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe pronarët kompensohen në vlerë të plotë me një vlerë të përgjithshme prej 46 241 507.4 lekësh.
Po ashtu, u miratua shpronësimi i pronarit të pasurisë të paluajtshme që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksion, rruga “Marin Beçikemi”, Bashkia Shkodër”.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Shkodër dhe pronari kompensohet për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 859 611 lekësh.
Qeveria vendosi edhe shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Parku Natyror “Liqeni i Ulëzës” dhe zona e mbrojtur përreth tij”, me vendndodhje në Bashkinë Mat.
Shpronësimi bëhet në favor të Ministrisë së Mjedisit dhe pronarët kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 4 041 111.70 lekësh.