Berisha: Peleshi mbrojti me hipokrizi kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se “mazhoranca socialiste e ka shndërruar parlamentin në një klub, në të cilin nuk ka asnjë rregull, ka vetëm kaos”.
Pas rrëzimit të kërkesës së PD-së për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, Berisha tha se ky i fundit gjatë fjalës së tij “u përpoq me hipokrizinë më të madhe të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar”.
“Ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ndonjë parlamenti në botë që të kalojë për 28 minuta dhe të miratohet kabineti i ri dhe programi i saj? Kurrë!
Ka ndodhur ndonjëherë që në seanca të tëra parlamenti të mbyllet brenda disa minutash dhe ka dy muaj që ka nisur punë dhe ka pasur vetëm një ditë punë? Nuk ka ndodhur ndonjëherë”, tha Berisha.
I pyetur se pse opozita nuk votoi, Berisha tha se drejtuesja e seancës plenare duhet të hidhte në votim të dy raportet fillimisht, e pastaj votohej mosbesimi ndaj kryetarit.
“Deputetët e opozitës nuk votuan sepse ishte çështje e raporteve. Këta nuk zbatojnë asnjë ligj. Ajo që drejtonte seancën, e detyruan të thoshte kush është dakord me këtë raport. Por ajo duhej të hidhte të dy raportet. Dhe pas raporteve votohej mosbesimi ndaj kryetarit. Ajo bëri një votim kot fare, sipas qejfit, sipas urdhrit”, tha Berisha.
Sipas Berishës, mazhoranca “vijon në një kaos të plotë”.
“Do ta bëjë parlamentin evropian (Peleshi – shën. i red.), dëgjoni se cili është standardi evropian, në një kohë kur parlamenti ka delinkuentë sa çdo burg tjetër i vendit”, tha Berisha.
Me 79 vota kundër, 10 pro dhe 0 abstenim, Kuvendi rrëzoi kërkesën PD-së për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.
/m.q/r.e/a.f/