Berisha: Peleshi në krye të Kuvendit, u shkelmua Kushtetuta

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi sot se zgjedhja e Niko Peleshit në krye të Kuvendit të Shqipërisë është “shkelmim i parimeve kushtetuese”.
Në një prononcim për gazetarët, jashtë Kuvendit, Berisha tha se me zgjedhjen e Peleshit në krye të Kuvendit është shkelur Kushtetuta.
“Ne e konsiderojmë absolutisht të paligjshëm këtë parlament, dhe beteja jonë nuk ndalet gjer në ditën e fitores sonë mbi të. Në këtë drejtim është dita më e zezë në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Kanë shkelmuar me dy këmbë Kushtetutën”, tha Berisha.
Lidhur me vendimin e dy të zgjedhurve nga Partia Socialdemokrate, Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, që kanë paraqitur ditën e sotme pranë Komisionit shkresën për heqjen dorë nga mandati, Berisha tha se, “kurrë, pazaret me mandatin nuk bëhen rrugëve. Çdo i zgjedhur në ato lista, është i detyruar me ligj, me Kushtetutë, me rregullore, të vijë të bëjë betimin dhe pastaj është i lirë të dorëzojë mandatin”.
“Çdo njeri aty mund të dorëzojë mandatin, por mandati është i parlamentit dhe jo i individit. Mandati dorëzohet në parlament, deputeti bën betimin. Por kur nuk kanë as zgjedhës, as moral, as gjë prej gjëje, veprojnë në këtë mënyrë. Sikur janë letra bixhozi mandatet”, u shpreh Berisha.
Kuvendi i Shqipërisë çeli sot punimet e Legjislaturës XI. Fillimisht u ngrit Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të 140 deputetëve. Mandej u betuan 138 deputetë, pasi dy të mandatuarit nga PSD hoqën dorë nga marrja e mandatit. Pas betimit, nisi votimi i fshehtë për Kryetarin e Kuvendit, proces të cilin opozita e bojkoti. Në fund, me 84 vota u votua si Kryetar i Kuvendit, propozimi i mazhorancës, deputeti i PS, Niko Peleshi.
/e.i//a.f//r.e/