E Hënë, 2 Nëntor 2026

SIRI – Guterres në vizitën e parë të një kreu të OKB-së që prej 15 vitesh

DAMASK, 25 korrik /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, mbërriti sot në Damask, duke zhvilluar vizitën e parë të një kreu të Kombeve të Bashkuara në Siri pas më shumë se 15 vitesh.

Në një postim në rrjetin X, ai e cilësoi udhëtimin si një “vizitë solidariteti” me popullin sirian.

Gjatë qëndrimit të tij, Guterres pritet të takohet me presidentin e përkohshëm Ahmed al-Sharaa, zyrtarë të tjerë politikë dhe përfaqësues të organizatave të grave.

Në axhendën e tij është edhe një vizitë në misionin paqeruajtës të OKB-së (UNDOF) në Lartësitë  Golan, i cili mbikëqyr zonën tampon mes forcave siriane dhe izraelite.

Vizita vjen në një periudhë kur autoritetet e reja siriane po përpiqen të rivendosin marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar, pas rrëzimit në fund të vitit 2024 të regjimit të Bashar al-Assad nga aleanca rebele e udhëhequr nga grupi Hay’at Tahrir al-Sham (HTS).

Që prej atëherë, Ahmed al-Sharaa ka marrë detyrën e presidentit të përkohshëm.

Kombet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol kyç në ndihmën humanitare për Sirinë, ku sipas OKB-së rreth 15,6 milionë njerëz varen ende nga ndihma.

Miliona sirianë përballen me mungesë ushqimi, infrastrukturë të shkatërruar, qasje të kufizuar në shërbimet bazë dhe rrezikun e vazhdueshëm nga mjetet shpërthyese të mbetura nga lufta. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›