E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Projekti Smart City, survejim të paligjshëm qytetarëve

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi sot të paligjshëm projektin Smart City, teksa theksoi se “ky projekt përbën asgjësimin e plotë të privatësisë së qytetarëve”.

Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se “ky projekt synon survejimin e plotë të lëvizjeve të çdo qytetari. Në qoftë se një vit më parë u vendosën në të gjitha kompanitë e telefonave aparaturat e regjistrimit të plotë të internetit dhe telefonave të celularëve me pretekstin e ndërprerjes së TikTokut, tani me Smart City, Edi Rama kompleton survejimin më të paligjshëm dhe më total të qytetarëve shqiptarë, të çdo lëvizjeje të tyre”.

“Ky projekt i vendos qytetarët shqiptarë në kontroll të plotë, automjetet dhe lëvizjet e tyre.
Dhe në këtë aspekt, aq sa të dhënat e një individi janë private, ato bëhen shtetërore.
Aq sa të dhënat e një shoqërie janë shtetërore, ato eksportohen në duart e kujtdo”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se “tani çdo organizatë kriminale nuk ka më nevojë përveçse të fusë kthetrat në kamera dhe të marrë vesh se ku e ka gjahun e vet për ta marrë peng, për ta vrarë, për ta ekzekutuar, etj.”.

Kreu i PD-së tha se “ky projekt, i cili është i tëri vendosje e Shqipërisë, qytetarëve të saj në kontroll total, është njëkohësisht një projekt fund e krye korruptiv. Çmimet e ofruara për realizimin e këtij projekti janë nga 10 deri në 30-fishin e çmimeve për këto aparatura në treg. Kështu, në qoftë se kamera e trupit të policit kushton në këtë projekt 15.700 euro, ajo blihet kudo me 1000-1500 euro. Në rast se kamera e rrugës kushton 52 mijë euro, kjo kamerë blihet lirshëm me 2 mijë euro. Pra është 25 herë më e shtrenjtë sesa gjendet në treg”.

Berisha dënoi me forcë këtë projekt, duke e cilësuar si “një vjedhje të përmasave të papërmbajtura, si një dhunim dhe cenim i madh i sigurisë kombëtare të shqiptarëve, i privatësisë së tyre”.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›