Pr.ligji “Për Policinë Bashkiake”, kompetenca të reja dhe portal unik rekrutimi

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e sigurisë publike janë në qendër të projektligjit të ri “Për Policinë Bashkiake”, i cili synon forcimin e rolit të strukturave vendore dhe rritjen e efikasitetit të tyre në shërbim të qytetarëve.
Nisma, pas konsultimit publik pritet të diskutohet në Këshillin Konsultativ me pushtetin vendor.
Projektligji parashikon një organizim të ri të Policisë Bashkiake në dy nivele, në nivel qendror dhe nivel vendor, duke vendosur standarde të njëjta profesionale dhe funksionale në të gjitha bashkitë e vendit. Po ashtu për herë të parë pritet të ketë një portal unik rekrutimi.
Niveli qendror do të ketë përgjegjësinë për përcaktimin e standardeve kombëtare, koordinimin e punës së drejtorive vendore dhe garantimin e bashkëpunimit të fortë ndërinstitucional.
Ky nivel do të ushtrojë një rol mbështetës dhe koordinues, pa cenuar autoritetin e njësive të vetëqeverisjes vendore.
Ndërkohë, niveli vendor do të vijojë të ketë autoritet të plotë në terren, me kompetenca të shtuara, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më cilësore, më të shpejta dhe më efektive për komunitetin.
“Përmes këtij vizioni të ri, synohet ndërtimi i një Policie Bashkiake më profesionale, më të besueshme dhe më pranë qytetarëve, si një komponent i rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë publike dhe mirëqeverisjes vendore”, thekson ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në një postim në rrjetet sociale.
Projektligji “Për Policinë Bashkiake” është një instrument thelbësor për modernizimin e shërbimeve të rendit në nivel vendor, ngritjen e një sistemi të qartë drejtimi dhe përgjegjësie, forcon bashkëpunimin ndërinstitucional dhe garanton rritjen e vazhdueshme të standardeve profesionale, rritjen e sigurisë publike në territor, në funksion të mirëqenies së qytetarëve dhe administrimit të hapësirës publike.
Ky projektligj synon standardizimin e funksioneve të policisë bashkiake në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore, koordinim efikas në nivel qendror-vendor, rekrutim cilësor dhe transparencë në ecurinë në karrierë, rritje e profesionalizmit të punonjësve të Policisë Bashkiake, trajnime të vazhdueshme dhe monitorim i performancës së punonjësve,
Rritje e besimit të publikut dhe bashkëpunimi mes komunitetit me policinë bashkiake.
Po ashtu parashikohen dhe kompetenca të reja, si masa ndaj zhurmave, ruajtja e hapësirave publike dhe monumenteve, si dhe kontrolli i ndalimit të duhanit në hapësirat publike.
/k.s/r.e/a.f/