Peleshi: Axhenda integruese në BE, kryefjala edhe në këtë sesion parlamentar

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi sot në nisje të sesionit të dytë të Legjislaturës së XI të Kuvendit se, ky sesion përbën një provë të rëndësishme të pjekurisë parlamentare dhe të aftësisë së Kuvendit për ta kthyer momentin europian të Shqipërisë në rezultate konkrete për qytetarët.
Në fjalën e mbajtur në seancën plenare të çeljes së sesionit të ri, Peleshi theksoi se ky sesion nuk është thjesht vazhdim i kalendarit parlamentar, por “një provë e dytë, provë e standardeve që pret shoqëria prej nesh dhe e aftësisë për të prodhuar ligje të mira, institucione më të forta dhe një dialog politik më dinjitoz”.
“Qytetarët presin që ne të mbajmë parasysh interesat e tyre dhe interesat e vendit, kur propozojmë apo miratojmë ligje. Të rinjtë duan të binden se e nesërmja për ta është më e mirë këtu, ndërsa të moshuarit kërkojnë siguri dhe dinjitet”, u shpreh kryetari i Kuvendit.
Peleshi nënvizoi se, “axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri, ka potencial të jashtëzakonshëm për të dhënë përgjigje ndaj sfidave të shoqërisë shqiptare dhe për t’u kthyer në një narrativë kombëtare entuziaste”.
Duke iu referuar sesionit të parë parlamentar, Peleshi bëri të ditur se Kuvendi zhvilloi 18 seanca plenare, miratoi 41 ligje dhe 59 vendime, si dhe realizoi interpelanca dhe mocione me debat.
Ai vlerësoi punën e deputetëve dhe administratës parlamentare, duke nënvizuar se Kuvendi ka vijuar të funksionojë pavarësisht tensioneve politike.
“Por këtë vit na duhet diçka më shumë: më shumë fokus dhe më shumë disiplinë ndaj axhendës europiane”, tha Peleshi, duke theksuar se një parlament europian nuk matet vetëm me numrin e ligjeve, por edhe me kulturën institucionale që përçon.
Në këtë kontekst, kryetari i Kuvendit u shpreh kundër gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve në sallën plenare.
“Gjuha e urrejtjes dhe personalizimi i debatit nuk janë forcë. Janë dobësi, që parlamentet e vendeve të Bashkimit Europian i kanë lënë pas prej dekadash”, deklaroi ai.
Peleshi theksoi se Shqipëria ndodhet tashmë në një fazë të re të procesit europian, nga integrimi drejt anëtarësimit, duke përsëritur objektivin për mbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027.
“Kuvendi duhet të përshpejtojë përafrimin ligjor pa komprometuar cilësinë dhe të rrisë kontrollin mbi zbatimin, sepse në Bashkimin Europian nuk mjafton të miratosh ligje, por duhet të provosh se ato funksionojnë”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit renditi si prioritete të sesionit të ri axhendën e integrimit europian, forcimin e mbikëqyrjes parlamentare, diplomacinë parlamentare dhe modernizimin e Kuvendit përmes rritjes së transparencës dhe përdorimit të teknologjisë.
“Në fund të kësaj legjislature, Kuvendi duhet të jetë më i respektuar, më funksional dhe më europian në etikë, procedurë dhe shërbim ndaj qytetarëve”, përfundoi Peleshi, duke u uruar deputetëve punë të mbarë në sesionin e ri parlamentar.
/gj.m/j.p/