E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qeveria dështoi në mbrojtjen e gjykatave, ndryshoi vendimin që ngarkonte Policinë e Shtetit për sigurinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, dënoi ngjarjen e rëndë që ndodhi dy ditë më parë brenda gjykatës së Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.

Ai tha se ndonëse vrasësi nuk ishte punonjës shteti, akti nuk do të kishte ndodhur nëse shteti funksiononte si duhet.

Berisha theksoi se salla e gjyqit duhet të jetë një nga vendet më të sigurta të shtetit, por sipas tij, vrasja u krye si të ishte në rrugë apo kafene.

Ai kritikoi vendimin e qeverisë së datës 8 korrik 2020, ku sipas tij, kryeministri Edi Rama hoqi përgjegjësinë e Policisë së Shtetit për sigurinë e gjykatave dhe ia kaloi një strukture të paqartë që Berisha e quajti “Policia e Xhepit”.

“Unë dua të informoj shqiptarët se me një vendim të datës 8.7.2020, Edi Rama ka anuluar vendimin e mëparshëm të qeverisë të datës 28.4.2010, i cili ngarkonte Policinë e Shtetit përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e gjykatave. Pra, pas ndryshimeve, më parë ka qenë garda, por u ngarkua në vitin 2010 me një vendim qeveria, siguria e gjykatave dhe prokurorive mbrohej nga Policia e Shtetit. Edi Rama e kalon këtë siguri nga Policia e Shtetit tek Policia e Xhepit”.

Sipas tij, ky ndryshim ka lënë institucionet të pambrojtura dhe ka krijuar hapësirë për ngjarje tragjike si ajo e vrasjes së gjykatësit.

Gjithashtu ai akuzoi edhe ministren e Brendshme , Koçiu për shmangie nga përgjegjësia, duke thënë se “Policia nuk ka përgjegjësi”.

Berisha përfundoi duke paralajmëruar se patronazhistët dhe struktura jozyrtare po zëvendësojnë institucionet e sigurisë, duke rrezikuar rendin dhe drejtësinë në vend.

PD bojkoton komisionet për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore

Duke folur për zhvillimet e politikës së ditës, Berisha deklaroi se PD nuk do të marrë pjesë në dy komisionet e posaçme që pritet të ngrejë Kuvendi për Reformën Administrative Territoriale dhe Reformën Zgjedhore.

Ai konfirmoi se opozita nuk do të jetë pjesë e këtyre komisioneve pa praninë e ekspertëve ndërkombëtarë.

“Asnjë komision pa Kongresin e Autoriteteve Rajonale dhe Lokale për reformën territoriale dhe pa ODIHR-in nuk marrim pjesë. Të vijnë institucionet ndërkombëtare. Dhe është shumë e gabuar që rrinë dhe marrin vitin 2008, besoj e bazojnë në një mashtrim qëndrimin e tyre. Të marrim ODIHR-in, të marrim specialistë nga Venecia, se edhe ata kanë specialistë të klasit të parë edhe në të drejtën elektorale. Pa kongresin e autoriteteve territoriale për reformën administrative dhe pa ODIHR për reformën zgjedhore, nuk marrim pjesë,” tha Berisha, duke shtuar se PD është e hapur për të zbatuar rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare dhe ekspertëve të Komisionit të Venecias.

Ai akuzoi mazhorancë se nuk ka interes për reforma të vërteta dhe se po përdor komisionet për të ruajtur pushtetin.

Berisha përmendi emrat e Fatmir Xhafajt dhe Damian Gjiknurit, duke i cilësuar si të papërshtatshëm për të udhëhequr procesin e reformave.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›