Berisha: Qindra mijëra shqiptarë janë ngritur kundër narkoregjimit, Rama po ndjek hap pas hapi regjimin e Beogradit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se qeverisja e tij po ndjek të njëjtën rrugë me regjimin e Beogradit dhe se protestat e qytetarëve kanë tronditur themelet e pushtetit.
Gjatë mbledhjes me kryetarët dhe sekretarët e degëve të PD-së, Berisha e cilësoi qeverinë si një regjim autoritar që, sipas tij, ka zëvendësuar shtetin ligjor me atë që ai e quan “narkoshtet”.
Kryedemokrati akuzoi Ramën për goditjen e fjalës së lirë dhe për përpjekje për të penguar debatin publik, ndërsa pretendoi se Shqipëria po përballet me pasoja të rënda ekonomike dhe shoqërore nga mënyra e qeverisjes.
“Unë dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime autoritare, diktatoriale, mafioze, të pakonceptueshme ndaj fjalës së lirë, ndaj debatit në mbrojtje të kreut të organizatës kriminale, në mbrojtje të Edi Ramës, i cili është autor krimesh monstruoze, i cili Shqipërinë, vend anëtar të NATO-s, Shqipërinë, vend me orientim të fuqishëm europian, shtetin ligjor e zëvendësoi me shtetin e mafies, me narkoshtetin dhe po e zbraz çdo muaj e më shumë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, pavarësisht kontrollit që pretendon se qeveria ushtron mbi institucionet, protestat e qytetarëve dhe qëndresa e opozitës kanë dobësuar pozitat politike të kryeministrit.
“Por, në qoftë se Edi Rama dhe mafia e pushtetit vendosin në këtë vend për çdo gjë, falë përkushtimit të madh të demokratëve dhe të qytetarëve shqiptarë, themelet e narkoshtetit janë të lëkundur sot më shumë se kurrë”, u shpreh ai.
Berisha bëri edhe një krahasim të drejtpërdrejtë mes qeverisjes së Ramës dhe zhvillimeve politike në Serbi, duke pretenduar se pushteti në Tiranë po ndjek modelin e Beogradit.
“Sot ka një regjim në shkërmoqje në Europë që po ndjek hap pas hapi regjimin e Beogradit, dhe ky është regjimi i Tiranës”, deklaroi kreu i PD-së.
Ai vlerësoi rolin e demokratëve dhe qytetarëve që kanë marrë pjesë në protesta, duke pretenduar se mobilizimi i tyre ka ndikuar edhe në qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë ndaj qeverisë shqiptare.
“Dhe këtu, kanë një meritë të madhe të gjithë ata që qëndruan, nuk u përkulën. Të gjithë ata që me protestat e tyre, dëshmuan se Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje të lira por farsë elektorale. Miqtë tanë në Europë dhe në botë, të cilët e gozhduan atë, e damkosën atë në një seri rezolutash të organizatave partiake më të fuqishme ndërkombëtare, në të cilat edhe ne jemi të anëtarësuar”, tha Berisha.
Në vijim, kryedemokrati u ndal te protestat që nisën në fillim të muajit qershor, duke i cilësuar ato si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare në historinë e vendit.
Sipas tij, pakënaqësia ndaj qeverisë lidhet me korrupsionin, varfërinë, largimin e shqiptarëve nga vendi dhe mungesën e besimit te institucionet.
“Pikërisht, në sfondin e zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin, në sfondin e vjedhjes dhe plaçkitjes së shqiptarëve më shumë se çdo pushtim tjetër, e varfërimit dhe mjerimit të tyre, në sfondin de fakto të dëbimit të tyre nga Shqipëria me kushtet, për kushtet e kalkuluara. Shpërtheu në fillim të qershorit, protesta popullore më e madhe, më gjigante, më e bukur, më madhështore që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj”, deklaroi ai.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb