“Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën”/ Veliaj tregon përgjigjen që I ktheu Ramës përmes Gogut: Nuk pranoj afera të paligjshme! Porositë që ju vijnë nëpër grup chat-e…

Përplasja mes Erion Veliajt dhe Edi Ramës vijon, këtë herë lidhur me avokatin Plarent Ndreca. Kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim, pretendon se i është kërkuar të mos këshillohet më me Ndrecën, ndërsa ka bërë publike përgjigjen që thotë se ia ka dhënë ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë takimit në burgun e Fierit.
Veliaj lë të kuptohet se kërkesa për të ndërprerë komunikimin me Ndrecën vjen nga kryeministri Rama, duke e lidhur këtë pretendim me izolimin e tij dhe mungesën e kontakteve me ish-bashkëpunëtorët politikë.
Në përgjigjen e tij, kryebashkiaku shprehet se për 20 muaj është lënë pa këshilltarë të tjerë, ndërsa kritikon faktin që njerëzit me të cilët kishte bashkëpunuar më parë nuk e kanë takuar gjatë periudhës së paraburgimit.
“20 muaj s’më latë asnjë këshilltar tjetër. Ti vetë vjen pas 2 vjetësh. Me kë të këshillohem unë? Me muret?”, shkruan Veliaj, duke iu drejtuar ministrit Gogu.
Ai ngre gjithashtu akuza ndaj kryeministrit, duke pretenduar se Rama ndërhyn personalisht në çështje që lidhen me kushtet e paraburgimit, takimet dhe vizitat e tij në spital. Një tjetër pjesë e reagimit lidhet me komunikimet e brendshme të qeverisë dhe Partisë Socialiste. Veliaj përmend porositë që, sipas tij, përcillen përmes grupeve të komunikimit, duke iu referuar konkretisht edhe Etjen Xhafajt.
Kryebashkiaku ndalet më pas te marrëdhënia e tij me Plarent Ndrecën, duke treguar se nga një bashkëpunëtor politik, ai është kthyer në një prej njerëzve më të afërt gjatë periudhës së paraburgimit.
“Plaro m’u bë shok, mik e avokat. Para vakisë ishim bashkëpunëtorë, po ngaqë ju ikët a s’ju la udhëheqësi, mbeta veç me Plaron e tani them më mirë 1 i saktë se 1000 servilë kot”, shprehet ai.
Përmes kësaj deklarate, Veliaj kritikon ish-bashkëpunëtorët që, sipas tij, janë distancuar pas arrestimit, ndërsa mbron vendimin për të vazhduar të këshillohet me Ndrecën.
Ai ka dhënë edhe detaje nga përfundimi i takimit me ministrin e Drejtësisë në burgun e Fierit, duke treguar se biseda ka zgjatur deri në mesnatë dhe se Gogu i ka sjellë dy libra.
“24:00 e mbyllëm. Më solli dy libra e falënderova, ai u largua me drejtorin, unë u riktheva në qeli me paterica”, shkruan kryebashkiaku.
Megjithëse shprehet se e ka përcjellë ministrin me urime dhe përshëndetje, Veliaj e mbyll reagimin me një mesazh të prerë, duke deklaruar se nuk do të pranojë të përfshihet në veprime që i konsideron të paligjshme.
“I urova të mira e të fala, po nuk pranoj afera të paligjshme”, përfundon ai.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb