Berisha: Rruga drejt BE-së kalon nga zgjedhjet e lira

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Një delegacion i nivelit të lartë nga Partia Demokratike, i kryesuar nga kryetari Sali Berisha, zhvilloi dje një takim me Rihards Kols, anëtar i Parlamentit Europian nga Grupi ECR dhe pjesë e Komisionit të Punëve të Jashtme (AFET).
Zyra e shtypit të PD, njoftoi se, gjatë takimit, Berisha paraqiti një panoramë të qartë mbi atë që e cilësoi situatë dramatike të demokracisë në Shqipëri, me theks të veçantë tek zhvillimet para, përgjatë dhe pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit
PD bëri të ditur se, ai denoncoi përqendrimin ekstrem të pushtetit në duart e Kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se të gjithë liderët kryesorë të opozitës janë arrestuar, ndjekur penalisht apo përballen me akuza politike, në një klimë represive dhe të paprecedent për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Berisha theksoi se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin vetëm një shkelje e thellë e parimeve demokratike dhe Kodit Zgjedhor, por një farsë e plotë elektorale, e zhvilluar nën kushte terrori politik, keqpërdorimi të institucioneve dhe ndërhyrjeje kriminale.
Ai solli në vëmendje ato që i cilësoi si një sërë faktesh të dokumentuara që dëshmojnë një model sistematik manipulimi zgjedhor, përfshirë blerje masive votash përmes përdorimit të fondeve publike dhe kontratave të paligjshme aktivizimin e rrjetit të patronazhistëve të Partisë Socialiste dhe keqpërdorimin e të dhënave personale për presion elektoral, infiltrimin e grupeve të krimit të organizuar në procesin zgjedhor në mbi 10 qarqe dhe mbi 20 bashki, në mbështetje të rreth 30 kandidatëve të PS-së.
Sipas PD, Berisha denoncoi përpjekjet e Edi Ramës dhe ministrit të Jashtëm, Igli Hasani për të ndikuar në ndryshimin e raportit paraprak të misioneve ndërkombëtare vëzhguese nëpërmjet kërcënimit dhe presionet ndaj vëzhguesve.
Nga ana e tij, bëri të ditur PD, eurodeputeti Rihards Kols u shpreh i mirëinformuar për zhvillimet në Shqipëri dhe shfaqi interes përndjekjen e problematikës të cilat kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë, si nëpërmjet pyetjeve për Komisioneret e KE ashtu edhe ngritjes së një misioni faktmbledhës (fact-finding mission) në Shqipëri për të vlerësuar drejtpërdrejt situatën në shqipëri.
Në takim u theksua se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk mund të ecë përpara pa rikthimin e standardeve demokratike, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe ndarjen e pushteteve si themel i një sistemi funksional demokratik.
Po ashtu, Partia Demokratike njofton se delegacioni i kryesuar nga Berisha u takua dhe me Eurodeputetin Michael Gahler, drejtues i Misionit të Vëzhgimit të Parlamentit Europian për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri dhe koordinator i grupit parlamentar të EPP në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Sipas njoftimit të PD, “Berisha e falënderoi Gahler për përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe për drejtimin profesional dhe objektiv të misionit vëzhgues të PE në farsën elektorale të 11 Majit 2025. Ai theksoi se përkushtimi i eurodeputetëve si Gahler për demokracinë, sundimin e ligjit dhe standardet zgjedhore është thelbësor për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
“Gjatë takimit, Berisha dhe Gahler ndanë shqetësimin e thellë për situatën alarmante në të cilën u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 11 majit”, vijon njoftimi i PD
Më tej, në njoftim lexohet se “diskutimi u përqendrua në shqetësimin serioz për përfshirjen e grupeve kriminale dhe karteleve të drogës në zgjedhje, ku sipas të dhënave të dokumentuara nga opozita: 28 kandidatë të Partisë Socialiste janë mbështetur nga grupe kriminale në 10 qarqe të vendit.”
“Një tjetër temë e rëndësishme ishte manipulimi i votës së diasporës, ku u theksua se është shkelur e drejta kushtetuese e mijëra shqiptarëve jashtë vendit për të votuar lirshëm. Berisha theksoi përmasat e frikshme të manipulimit të kësaj vote nga rrjeti i patronazhistëve të Partisë Socialiste dhe mungesën totale të transparencës në procesin e administrimit dhe numërimit të saj”, bën të ditur zyra e shtypit e PD.
“Berisha nënvizoi se rezultati i zgjedhjeve nuk reflekton vullnetin e qytetarëve shqiptarë, dhe se opozita do të vazhdojë betejën e saj për transparencë dhe zbardhje të plotë të shkeljeve, përmes mbledhjes dhe dokumentimit të mijëra provave, që do t’u përcillen institucioneve të BE-së dhe organizmave ndërkombëtarë. Ai kërkoi mbështetjen e Gahler dhe europarlamentarëve për sigurimin e votës së lirë në Shqipëri si themeli i çdo procesi demokratik dhe kusht për ecurinë e mëtejshme të vendit në rrugën e integrimit europian.
“Gahler garantoi se do të ndjekë çështjen e Shqipërisë me objektivitet dhe prioritet, në emër të misionit të tij, dhe se do të mbështesë çdo përpjekje për përmbushjen e standardeve demokratike dhe kritereve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, bën të ditur PD.
Në takim merrnin pjesë: Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, Kryetarja e LDG, Albana Vokshi dhe Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku.
/j.p/a.f/
1 nga 10