E Martë, 3 Nëntor 2026

Blushi: Raporti i PE fakton blerjen e votave

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se raporti i Parlamentit Evropian për Shqipërinë fakton blerjen e votave.

“Nga zemra e Bashkimit Europian u përcoll qartë mesazhi se kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin dhe se po mbahet në pushtet jo nga vullneti i qytetarëve, por nga fuqia e krimit të organizuar dhe abuzimit të përbindshëm me fondet dhe institucionet publike në funksion të axhendës politike, elektorale dhe kriminale të Edi Ramës”, deklaroi Blushi.

Blushi theksoi se “raporti i Parlamentit Europian për zgjedhjet, i prezantuar nga eurodeputeti i CDU, Michael Gahler, që udhëhoqi misionin vëzhgues në Shqipëri sqaron qartësisht se votat më 11 maj u blenë nëpërmjet: abuzimit me burimet publike, presionit mbi votuesit, veçanërisht punonjësit publikë, keqpërdorimit të aktiviteteve qeveritare për qëllime elektorale, amnistia e minutës së fundit për gjobat e papaguara nga qytetarët, një lëvizje që perceptohet si blerje votash, si dhe bonusi për pensionistët, një muaj para zgjedhjeve”.

Blushi tha se, Partia e Lirisë e përshëndet raportin e Parlamentit Europian dhe e përkrah fuqimisht propozimin për dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri.

Blushi theksoi se, “pa garantuar votën e lirë, themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor, nuk mund të ketë integrim të Shqipërisë në familjen europiane”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›