Berisha: Shqipëria do të jetë madhështore kur ta shndërrojmë në epiqendër të teknologjive më të larta

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit se “kjo është rruga drejt fitores, duke trokitur në çdo mendje dhe zemër, duke takuar çdo të njohur dhe të panjohur, të bindur se Shqipëria Madhështore nuk është një program për pushtetin e Sali Berishës”.
Sipas kreut të PD-së, ky “është një projekt për çdo shqiptar, për çdo atdhetar, është një projekt për çdo njeri që i thotë lirisë liri dhe dinjitetit dinjitet”.
“Në po kërkojmë që Shqipërinë ta bëjmë të jetueshme. Po kërkojmë që Shqipëria të krenohet me prodhimet e saj. Po kërkojmë që të rinjtë e saj të ndërtojnë ëndrrën në Shqipëri dhe jo të ëndërrojnë të ikin nga Shqipëria. Ndaj dhe le të bëjmë këtë muaj, muajin e përpjekjes të jetës sonë, muajin e vendimeve më të rëndësishme të jetës sonë, muajin për t’u dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve fitoren”, pohoi ai.
“Shqipëria Madhështore është vetëm Shqipëria e ëndrrës së këtyre të rinjve. Ndaj dhe Shqipëria do jetë madhështore kur ta shndërrojmë në epiqendër të teknologjive më të larta. Kur ta vendosim Shqipërinë në trenin e revolucionit të teknologjisë së lartë, ta shndërrojmë atë në epiqendër të dataqendrave, të inteligjencës artificiale, të kriptomonedhave, të internetit”, pohoi Berisha.
Më tej, Berisha shtoi se “më 12 maj do të mblidhemi në këtë shesh të festojmë së bashku për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë që meritojmë”.
“11 maji është dita e votës së lirë. Të dashur miq, sirenat e votës së lirë të shqiptarëve po bien në të gjithë Europën. Një javë në mbarë Europën u gozhdua Edi Rama, u gozhdua narkoshteti.
Zotimi solemn se shqiptarët do votojnë të lirë. Dhe unë i them Edi Ramës: Mos prek votën, se në mënyrë absolute mbi tokë vend nuk do kesh. Jo! Largohu me votë, se i ke bërë të këqija të mëdha këtij vendi dhe këtij kombi”, tha Berisha.
Berisha ndau gjatë fjalës së tij edhe një përshëndetje për “të gjithë socialistët që kanë vendosur të bashkohen me PD”.
“I përshëndes të gjithë shqiptarët që së bashku Shqipërinë e dhimbjes, ta shndërrojmë në Shqipëri normale, Shqipërinë e qetë, Shqipërinë e gëzimit; Shqipërinë e dhunës dhe terrorit politik – në Shqipërinë e lirive politike; Shqipërinë e zhgënjimit dhe dëshpërimit – në Shqipërinë e shpresës dhe besimit”, u shpreh Berisha.
/a.f/r.e/