Berisha: Zero tolerancë ndaj korrupsionit, minimumi jetik 200 euro

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, nga sheshi “Nënë Tereza” në kryeqytet, se “qeveria do të vendosë taksat më të ulëta që ekzistojnë në botë, ndërsa do të nisë me minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar në nevojë”.
“Ne jemi partia e rritjes dhe dyfishimit të rrogave dhe pensioneve, ne do t’i rrisim dhe do t’i dyfishojmë ato. Shqipëria e punës, Shqipëria e njerëzve të paguar, Shqipëria e njerëzve që prodhojnë, Shqipëria e njerëzve të suksesit është qëllimi i projektit tonë. Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se qeveria do të vendosë mbi ta taksat më të ulëta që ekzistojnë në Europë dhe në botë, në mënyrë që ju me mundin, me djersën tuaj të begatoheni, të mëkëmbeni, të pasuroheni”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se duhet të “vendoset tregu dhe demokracia, ashtu siç u anëtarësua Shqipëria në NATO, siç u transformua Shqipëria. Të ndërtojmë tani Shqipërinë Madhështore, Shqipërinë më të bukur që shqiptarët kanë pasur në tërë historinë e tyre”.
Berisha tha se do të ketë tolerancë zero ndaj korrupsionit, ndërsa auditi i përgjithshëm do t’u rikthejë shqiptarëve qindra-miliona euro
“Jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve për zero tolerancë ndaj shpërdorimit dhe vjedhjes së pasurive të tyre, parave të tyre. Jam këtu për t’u dhënë fjalën shqiptarëve se auditi i përgjithshëm i narkoshtetit do t’u rikthejë shqiptarëve qindra-miliona euro më shumë, të vjedhura prej tyre. Jam këtu para jush për t’u zotuar se organizatat kriminale kudo që janë, në Shqipëri, në Aruba, Dubai, kudo që ndodhen, do të vendosen përpara ligjit dhe bashkë me ta ministrat kriminelë, ministrat hajdutë”, tha Berisha.
Sipas Berishës, “ligji dhe vetëm ligji, të drejtat e qytetarëve, shteti ligjor, janë dhe do të mbeten motoja e Partisë Demokratike”.
/r.e//a.f/