E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria me barrën më të lartë fiskale për naftën

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria renditet ndër vendet me barrën më të lartë fiskale për çmimin e naftës, duke akuzuar qeverinë për politika të padrejta ndaj qytetarëve.

Në takim e folltores sot në Tiranë, një takimi i përjavshëm i organizuar nga PD, Berisha u shpreh se çmimi i naftës në vend ka arritur nivele të larta dhe se, sipas tij, taksat e vendosura mbi karburantin rëndojnë drejtpërdrejt tek konsumatorët. Ai kritikoi gjithashtu mekanizmat e ndërhyrjes së qeverisë në treg, duke i cilësuar të pamjaftueshme.

Berisha ngriti shqetësime edhe për situatën sociale, duke përmendur mungesën e dëmshpërblimit për familjet e prekura nga përmbytjet në Durrës, si dhe duke akuzuar autoritetet vendore për menaxhim të dobët.

Në vijim, ai u ndal edhe te kostot e arsimit të lartë, duke pretenduar se studentët shqiptarë përballen me tarifa më të larta krahasuar me disa vende europiane, në raport me të ardhurat.

Kreu i opozitës përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë për keqmenaxhim ekonomik dhe mungesë transparence, duke shtuar se qytetarët përballen me kosto të larta jetese.

Ai akuzoi mediat që i cilësoi si të kontrolluara nga qeveria se po përpiqen të mbajnë në këmbë atë që ai e quajti “regjim mafioz” të kryeministrit Edi Rama.

Berisha u shpreh se qytetarët kanë nevojë për “zërin e të vërtetës”, ndërsa sipas tij vendi përballet me propagandë dhe dezinformim të vazhdueshëm.

Ai deklaroi se mediat, të cilat i konsideron të lidhura me qeverinë, “24 orë në ditë shpërndajnë mashtrime dhe trillime”, me qëllim, sipas tij, të mbështesin pushtetin.

Në fjalën e tij, kreu i opozitës hodhi akuza edhe për proceset zgjedhore, të cilat i cilësoi si të deformuara, duke shtuar se qytetarët duhet të reagojnë për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e tyre.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›