E Enjte, 5 Nëntor 2026

Berisha: Sot jemi opozita më e fortë dhe më e respektuar

Uncategorized | 26 minuta më parë

Facebook

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot se forca politike që ai drejton është shndërruar në një nga lëvizjet opozitare më të qëndrueshme dhe të respektuara në nivel ndërkombëtar, pavarësisht sfidave dhe presioneve politike me të cilat është përballur.

Duke folur në mbledhjen me kryetarët dhe sekretarët e degëve, Berisha bëri një retrospektivë të dinamikave të protestave dhe taktikave politike të ndjekura nga PD-ja përballë pushtetit të kryeministrit Edi Rama, duke shpjeguar pragmatizmin e ndjekur në aksionin opozitar.

“Ne ishim shumë të hapur, shumë të ndershëm, ne u thamë mbështetësve dhe simpatizantëve dhe anëtarëve tanë: ne shkojmë atje, ata që hedhin parrullat janë armiqtë tanë. Por duke konsideruar të keqen më të madhe Edi Ramën, atëherë ne përshtasim parimin e njohur që nga kohët e lashta: armiku i armikut tim, është aleati im”, deklaroi Berisha.

Lideri i opozitës u ndal gjithashtu te përpjekjet për goditjen e Partisë Demokratike, duke akuzuar drejtpërdrejt organizatat e mbështetura nga George Soros për ndërhyrje në skenën politike vendase.

“I gjithë synimi ishte krijomi i një opozite tjetër, i një opozite siç e do Edi Rama me padronin e tij, George Soros. Ata kanë emër mbi emër, ishin organizatat sorosiane në krye. Ishin ato të cilat hoqën maskat nga organizatat e shoqërisë civile, u shndërruan në qeliza politike të ekstremit të majtë dhe kërkonin të likuidonin opozitën” tha ai.

Duke i krahasuar me përballjet historike të PD-së, përfshirë trazimet e vitit 1997, Berisha nëvizoi se asnjë forcë politike në Evropë nuk ka kaluar një “kalvar” të tillë përballjeje dhe izolimi.

“E zhytën në mënyrën më të pamerituar në izolimin më të thellë, sikur të ishte një parti superfashiste, apo supernaziste, apo superkomuniste. Çfarë po bënim ne atje? Ne s’po kërkonim asgjë tjetër, vetëm të qëndronim jo si opozitë e qeverisë, por si opozitë e qytetarëve shqiptarë,” u shpreh kreu i PD-së, ndërsa shtoi më tej se “sot ne jemi nga opozitat më të respektuara në planet. Më të forta? Më të forta. Më të pamposhtura”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›