Nufi: NATO duhet të forcojë bashkëpunimin kundër kërcënimeve hibride dhe dezinformimit - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare të NATO-s për t’u përballur me kërcënimet hibride, dezinformimin dhe fushatat keqdashëse në hapësirën digjitale.
Në një intervistë për POLITICO Europe, Nufi vuri në dukje se këto kërcënime synojnë të cenojnë besimin publik, të nxisin përçarje dhe të dobësojnë qëndrueshmërinë e shoqërive demokratike.
Ministri gjithashtu nënvizoi nevojën për një NATO më aktive, me mekanizma të koordinuar, ekspertizë të specializuar dhe ekipe reagimi në mbështetje të vendeve anëtare.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për Shqipërinë, siguria nuk kufizohet vetëm në mbrojtjen e territorit, por përfshin edhe mbrojtjen e institucioneve, qytetarëve dhe hapësirës sonë informative.
“Përballë sfidave të reja, vendi ynë mbetet i angazhuar për një Aleancë më të fortë, më të përgatitur dhe më të bashkuar, ku siguria e çdo vendi është pjesë e sigurisë së përbashkët”, theksoi ministria e Mbrojtjes.
/m.q/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
