Udhëzimi i ri i Shëndetësisë, ndryshojnë rregullat për kontrollin mjekësor të lejeve të drejtimit të automjeteve

Procedura e kontrollit mjekësor për marrjen apo rinovimin e lejes së drejtimit të automjeteve do t’i nënshtrohet një procesi të plotë digjitalizimi. Përmes një Udhëzimi, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përcaktuar rregullat e reja për administrimin dhe shkëmbimin elektronik të dokumentacionit mjekësor mes strukturave shëndetësore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).
Çfarë ndryshon me formularët elektronikë?
Sipas udhëzimit të ri, formularët tradicionalë të miratuar që në vitin 2000 do të kthehen në format elektronik.
Dokumenti zyrtar sqaron se “digjitalizimi i tyre nuk sjell ndryshime në përmbajtjen, strukturën dhe elementet e detyrueshme, por vetëm në mënyrën e plotësimit, nënshkrimit, administrimit, aksesimit dhe shkëmbimit të tyre nëpërmjet sistemeve elektronike”.
Procedura hap pas hapi
Procesi nis pranë mjekut të përgjithshëm ose atij të familjes, i cili identifikon aplikantin dhe shqyrton historikun e tij mjekësor. Pasi mjeku plotëson dhe nënshkruan elektronikisht formularin e quajtur “Certifikatë Anamneze”, aplikanti referohet tek mjekët specialistë për vlerësimin e shikimit dhe dëgjimit.
Këta të fundit plotësojnë “Certifikatën mjekësore” të specializuar, ku, nëse është e nevojshme, theksojnë kufizimet specifike shëndetësore. Udhëzimi nënvizon se në rastet kur konstatohen gjendje që kërkojnë vlerësim më të thelluar, apo kur “rezultatet e kontrolleve ose të ekzaminimeve krijojnë dyshime të arsyeshme për aftësinë psikofizike të aplikantit”, personi referohet pranë Komisionit Mjekësor.
Vendimmarrja e Komisionit Mjekësor
Komisioni Mjekësor merr vendimin përfundimtar me shumicë votash, duke përcaktuar qartë rezultatin në një nga tre kategoritë e mundshme: “I aftë për të drejtuar mjet”, “I aftë për të drejtuar mjet me kufizime”, ose “I paaftë për të drejtuar mjet”.
Afati i vlefshmërisë së këtij vlerësimi vendoset bazuar në gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarit.
Shkëmbimi i të dhënave dhe faza tranzitore
Me përfundimin e procedurës, dokumenti përfundimtar nuk do t’i jepet qytetarit në dorë, por “i dërgohet qytetarit nëpërmjet platformës qeveritare ‘e-Albania'”. Të gjitha të dhënat i vihen në dispozicion në kohë reale DPSHTRR-së përmes sistemeve të ndërveprimit, duke reduktuar burokracitë dhe kohën e pritjes.
Udhëzimi thekson se qasja në këto të dhëna do të jetë rreptësisht e kufizuar dhe do të kryhet vetëm nga strukturat e autorizuara “për ushtrimin e kompetencave ligjore të institucioneve përkatëse”, në respekt të plotë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Megjithatë, deri në integrimin e plotë dhe vënien në funksion të sistemeve kompjuterike nga ana e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucionet do të vazhdojnë të zbatojnë procedurat e udhëzimit të vitit 2015 për kontrollin mjekësor fizik.
Data e saktë e kalimit të plotë në sistemin online do të përcaktohet me një urdhër të dytë të ministrit të Shëndetësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.