E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Zgjedhjet parlamentare të 11 majit, më të plaçkiturat në 33 vite

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi të mërkurën në mbrëmje drejtuesit politikë të qarqeve të kësaj force politike.

Ish-kryeministri Berisha në hapje të takimit tha se “zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin më të plaçkiturat në 33 vite”.

“Një përshëndetje të veçantë kam dhe një mirënjohje të pakufishme për ata qindra mijëra qytetarë që në kushtet më të vështira, votuan si qytetarë të lirë për vlerat, idealet që besonin, votuan kundër një regjimi që në traditën më antidemokratike, më antikombëtare, ka shndërruar krimin në faktor kryesor elektoral, krimin në votë dhe votën në krim”, tha Berisha.

Ai tha se ka “një mirënjohje të veçantë për të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit, të cilët përballen prej tre ditësh me presione nga më të ndryshme dhe mbrojnë me integritet votën e qytetarëve shqiptarë”.

“Një falënderim për të gjithë strukturat e angazhuara në këtë proces, i cili pati si rezultat final plaçkitjen, grabitjen më të madhe të votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar”, shtoi Berisha.

Ish-kryeministri u shpreh se “në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim”.

Berisha tha se kryeministri Rama “bleu vota përmes vendimeve të marra na qeveria”.

“Pra, ai shpërndau dhuratë për votë 70 milionë euro, 760 mijë pensionistëve, të cilët në hartën aktuale elektorale përbëjnë 48 përqind të votuesve në Shqipëri. Kjo është shkelja publike më e rëndë, më e paprecedent. Cilido që përpiqet të na bindë apo të na kundërshtojë ne se ky nuk është një megakrim elektoral, një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, paguhet me këto para krimi që paguhet vota, ose pastaj nuk ka ABC-në më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta dhe të drejta.

Ai shpërndau në mes të fushatës 138 licenca për miliona bimë kanabisi. Mos harroni se një bimë kanabisi e ka prodhimin 1 mijë euro. Se si i ndau mafia e drogës bimët për vota, është shumë e thjeshtë. Por një bimë kanabisi është 1 mijë euro produkti. Ai nuk e fshehu, por e bëri publike blerjen e votës kur dy ditë para zgjedhjeve fali më së paku 200 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit”, tha Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›