Rama: Shumica e shqiptarëve brenda e jashtë vendit besojnë te drejtimi që ka marrë vendi

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mbajti mbrëmjen e së mërkurës fjalimin e fitores nga Sheshi “Skënderbej”, ku falënderoi mbështetësit e Partisë Socialiste dhe të gjithë qytetarët që i besuan kësaj force politike në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Rama pati një falenderim të veçantë edhe për shqiptarët e diasporës që për herë të parë patën mundësi të votonin nga vendbanimi i tyre
“Aq herë faleminderit, saç janë anëtarë dhe anëtare të familjes sonë politike që bënë si duhet pjesën e vet për këtë fitore. Aq herë faleminderit sa çdo mbështetës i Partisë Socialiste që dha votën e vet, dhe çdo zgjedhës që këtë herë erdhi me votën e tij drejt nesh, edhe pse mund të mos jetë tradicionalisht me ne”, tha Rama në fjalën drejtuar qytetarëve të mbledhur në shesh”, tha Rama.
Kryeministri shprehu një mirënjohje të veçantë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët morën pjesë në votime për herë të parë nga diaspora.
“Një falënderim krejt të veçantë dua ta bëj për shqiptarët e Greqisë, Italisë, Europës, Amerikës e kudo tjetër, ku qoftë edhe një shqiptar i vetëm u regjistrua si zgjedhës”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, pjesëmarrja e diasporës në këto zgjedhje përbën një ushtrim historik dhe mbresëlënës. “
“Nga zemra një përqafim të gjithëve nga Sheshi i Gjergj Kastriotit! Ka qenë një ushtrim i parë historik për nga fakti i herës së parë dhe fantastik për nga numri i pjesëmarrësve në raport me të regjistruarit, një ndër më të lartët në votimet e diasporës që kemi parë nëpër Europë”, theksoi ai.
Pavarësisht se procesi i numërimit ende vijon, Rama tha se tashmë është e qartë që shumica e shqiptarëve, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve, beson në drejtimin që ka marrë vendi.
“Shumica jashtë kufijve mendon njësoj si shumica brenda kufijve, për Shqipërinë që ecën në drejtimin e duhur, dhe Shqipërinë e vitit 2030 në BE me ne të gjithë së bashku, me mua dhe me Partinë Socialiste”, tha Rama.
Kryeministri shprehu falënderime të përzemërta për qytetarët shqiptarë që kontribuojnë çdo ditë për vendin, duke i quajtur ata shtylla të përparimit të Shqipërisë.
“Aq herë faleminderit të gjithëve sa ç’ka shqiptarë e shqiptare nën këtë qiell, nga ata që ngrihen të parët fare, pa u gdhirë, për të punuar tokën, e deri te ata që nuk venë gjumë në sy për ta mbrojtur këtë tokë. Sepse falë tyre, shumica dërrmuese e shqiptarëve votoi për një Shqipëri që ata e dinë më mirë se kushdo bëhet gjithnjë e më mirë”, përfundoi Rama.
/a.f/