E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zjarret jashtë kontrollit, qeveria asnjë qindarkë për zjarrfikësit

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot për situatën e zjarreve në vend, duke e cilësuar atë si jashtë kontrollit, ndërsa u ndal edhe tek mënyra e trajtimit të zjarrfikësve dhe punonjësve të angazhuar në shuarjen e flakëve nga qeveria.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se zjarret në të gjithë vendin vijojnë të jenë problem serioz dhe shtoi se qeveria nuk ka ofruar mbështetjen e duhur për forcat zjarrfikëse.

Sipas tij, zjarrfikësve nuk u janë dhënë ende shtesat e premtuara për vështirësitë dhe rrezikun me të cilin përballen gjatë punës.

“Trajtimi i zjarrfikësve dhe punonjësve të angazhuar në shuarjen e flakëve të zjarrit, është cinik, i pashpirt. Asnjë qindarkë nga premtimet, dhe që i meritojnë, të shtesave për vështirësitë e mëdha përballë zjarrit, atyre gjer sot nuk u është dhënë”, tha ai.

Berisha u ndal gjithashtu edhe tek mungesa e mbështetjes logjistike për punonjësit në terren, duke e cilësuar punën e tyre si “tmerrësisht të vështirë dhe të rrezikshme”.

“Asnjë prapavijë mbështetëse për punën tmerrësisht të vështirë dhe të rrezikshme që bëjnë, nuk kanë”, tha ai.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›