Berisha akuzon qeverinë për mashtrime mbi çmimet e naftës dhe investimet

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një videomesazh, akuzoi kryeministrin Edi Rama për mashtrime lidhur me çmimet e naftës dhe për fshehjen e dështimeve në fushën e investimeve të huaja.
Berisha u shpreh se rritja e fundit e çmimit të naftës tregon ndikimin e drejtpërdrejt të bordit të karburanteve, të cilin sipas tij e kontrollon Rama, dhe kërkoi uljen e taksës qeveritare mbi karburantet, e cila sipas tij është 1.1 euro për litër.
“Mashtrimet në monologun e së dielës të Edvin Ramës janë bërë si përrallat e Nastradinit. Sot, ai kishte përzgjedhur të fliste për naftën dhe për të mashtruar qytetarët se, bordi nuk ka asnjë lidhje me çmimet, ndërkohë që bordi i tij dje njoftoi rritjen e çmimit, nga 203 lekë që kishte njoftuar më parë në 215 lekë, pas një letre publike që i bënë përqafësuesit e kompanive të naftës, duke dëshmuar se ai bord është në mbrojtje të kompanive dhe jo të qytetarëve. Sërish, theksoj se, themeli i çmimit statosferik të naftës në Shqipëri qendron taksën qeveritare të Edi Ramës mbi naftën 1.1 euro. Ndaj dhe ulja e saj duhet të jetë kërkesë e mbarë qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit për investimet e huaja, duke theksuar mungesën e investitorëve të rinj dhe largimin e investitorëve të mëdhenj nga Shqipëria.
Berisha vuri në dukje se gjatë 12 viteve të fundit, investimet e mëdha janë kryesisht ato të kontraktuara nga qeveritë e Partisë Demokratike, përfshirë kaskadën e Devollit, gazsjellësin Trans Adriatik dhe Shell, ndërsa sipas tij nuk ka investitorë të rinj të rëndësishëm që kanë ardhur në vend gjatë qeverisjes së Ramës.
“Unë dua t’i informoj shqiptarët se, gjatë këtyre 12 viteve, të vetmet investime të mëdha në Shqipëri kanë qenë investimet e kontraktuara, që të gjitha nga PD. Kanë qenë kaskada e Devollit, me të cilën Edi Rama u tall dhe e përqeshi disa herë përpara. Ka qenë gazsjellësi trans Adriatik, i cili sot është më i çmuar se kurrë për mbarë Europën dhe siç dihet në kontraktimin e tij, Shqipëria luajti një rol përcaktues. Ka qenë Shell, i cili investoi miliarda në Shqipëri, por për fat të keq nuk gjeti, nuk ka asnjë investitor të madh, në mënyrë absolute, asnjë investitor serioz që të ketë ardhur dhe vendosur investimet e tyre në Shqipëri gjatë këtyre viteve, por përkundrazi kanë ikur investitorët gjigantë, që vetëm në Gjirin e Laëzit planifikonin të investonin 1.5 miliardë euro investime dhe shumë investitorë të tjerë”, u shpreh Berisha.
Ai gjithashtu kritikoi procesin e tenderimeve përmes platformës e-Albania, duke e cilësuar të ndikuar nga klientela e qeverisë dhe duke penguar pjesëmarrjen e investitorëve të huaj.
Berisha akuzoi Ramën dhe zyrtarë të tij për korrupsion dhe përdorimin e mandatit për të mbrojtur vjedhjet e fondeve publike dhe bëri thirrje për protesta simbolike kundër tyre, duke i konsideruar si pjesë e një “organizate kriminale” të përfaqësuar nga kryeministri dhe shokët e tij.
/e.xh/a.f/