E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha dhe Bardhi urojnë 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, duke vlerësuar SHBA-në si një vend lider në liri, demokraci, ekonomi dhe zhvillim global.

Në mesazhin e tij, Berisha theksoi se, “amerikanët e festojnë këtë 250-vjetor më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt, por edhe me një lavdi e krenari si asnjë komb tjetër”.

“Përgjatë këtyre 250 viteve, kombi i lirë amerikan, me gjeninë e tij krijuese, e shndërroi vendin e vet nga një ish-koloni e Mbretërisë së Bashkuar në vendin dhe kombin lider të njerëzimit në politikë, siguri, ekonomi, shkencë, arsim, shëndetësi, teknologji të lartë dhe në çdo fushë tjetër. Por, mbi të gjitha, në vendin lider të lirisë në botë”, shtoi ai.

Prandaj, theksoi Berisha, “ky 250-vjetor është një ngjarje e madhe për mbarë njerëzimin liriadashës”.

Kreu i PD u shpreh se, “për ne shqiptarët, kombi i madh amerikan dhe qeveria e SHBA-së kanë pasur, në disa momente kyçe, një rol përcaktues në historinë e lirisë së kombit tonë: në shpëtimin e Shqipërisë nga ata që donin ta fshinin nga faqja e dheut, si dhe në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Zoti i bekoftë SHBA-në, kombin dhe flamurin e tyre krenar!”.

Ndërkohë, edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka përcjellë një mesazh urimi për 250-vjetorin e SHBA-së, duke theksuar rëndësinë e miqësisë mes dy vendeve.

Bardhi u shpreh se marrëdhëniet Shqipëri–SHBA mbeten një nga vlerat më të rëndësishme të vendit, të ndërtuara mbi besim, respekt dhe vlera të përbashkëta.

/gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›