Berisha mban 1 minutë heshtje për Bujar Bukoshin: Dha një kontribut të madh në çështjen e Kosovës

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka nderuar me një minutë heshtje ish-kryeministrin në ekzil, Bujar Bukoshi, i cili u nda sot nga jeta.
Sipas Berishës, Bukoshi ka dhënë një kontribut të madh në çështjen e Kosovës dhe në çështjen shqiptare
“Një lajm i trishtë vjen nga Prishtina. Një personalitet i shquar, një atdhetar i flaktë, një shtetar i formuar, i përkushtuar, ish-kryeministri i parë i Republikës së Kosovës, kryeministër i qeverisë së parë në ekzil i Kosovës, bashkëpunëtori më i afërt, më i ngushtë i presidentit Rugova, Bujar Bukoshi u nda sot nga jeta.
“Bujar Bukoshi dha një kontribut madhor në çështjen kombëtare. Krahas presidentit Rugova, ai luajti një rol të madh, së pari në organizimin e pushtetit paralel të shqiptarëve të shtypur në Kosovë, pushtet i shkëputi ata përfundimisht nga shteti i pushtuesve”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “Bujar Bukoshi një intelektual atdhetar, diplomat i aftë, e përfaqësoi Kosovën në të gjitha institucionet dhe kancelaritë e vendeve të lira. Paraqiti së bashku me presidentin Rugova çështjen e saj dhe mbështeti fuqishëm në kohën e duhur krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Ishte pikërisht nën udhëheqjen e presidentit Rugova dhe qeverisë së tij, koha në të cilën njësitë e para të kësaj ushtrie u stërvitën në qendra ushtarake të ndryshme të Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes e kësaj qeverie organizoi gjatë luftës forcat e armatosura të qeverisë së Kosovës, të cilët luftuan bashkërisht në beteja të ndryshme me njësitë e UÇK-së”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së nënvizoi më tej se “Bujar Bukoshi bëri gjithçka që gjatë luftës, UÇK-ja dhe forcat e mbrojtjes të qeverisë së Kosovës të bashkërendojnë veprimet, luftimet”.
“Pra ai dha një kontribut të madh në çështjen e Kosovës dhe në çështjen shqiptare. Me këtë rast unë i shpreh popullit të Kosovës, familjes Bukoshi, zonjës Bukoshi dhe fëmijëve të tyre, ngushëllimet më të ndjera të miat, të PD-së dhe opozitës. U ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të këtij statisti të shquar të kombit shqiptar”, u shpreh Berisha në një konferencë për mediet.
/a.f/