KAS vendos rinumërimin në 2 KZAZ në qarkun e Durrësit, përfshirë dhe diasporën

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur që të rinumërohen një pjesë e kutive të qarkut të Durrësit, në zgjedhjet e 11 majit 2025 si dhe të rivlerësohen pas kërkesës së bërë nga koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Në mbledhjen e sotme të KAS, u tha se me kërkesë të dy anëtarëve të komisionit është vendosur të hapen disa kuti për Durrësin, përfshirë edhe kutitë me vota nga diaspora.
“Vendosëm që sipas kërkesës së ‘Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ të hapen të gjitha kutitë e KZAZ-së numër 21 dhe numër 22 të qarkut Durrës. Po ashtu të hapen edhe 126 kuti të tjera, të renditura në materialin e paraqitur nga i njëjti subjekt, kutitë e votave dhe të materialeve zgjedhore. Po ashtu për qarkun Durrës të hapen edhe kutitë e votave nga diaspora”, njoftoi KAS.
Po ashtu, KAS vendosi që të hapen dhe të këqyren edhe 60 kutitë e pretenduara nga Partia Lëvizja e Legalitetit sipas kërkesës së depozituar sot me shkrim. /j.p/