E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Në farsën elektorale të 11 majit u përdor treni bullgar

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediet u ndal sërish tek manipulimi i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Berisha tha se “në farsën elektorale të 11 Majit u përdorën të gjitha metodat për manipulimin e zgjedhjeve, njëra prej të cilave përdoret gjerësisht nga Putini dhe Lukashenko dhe njihet me emrin e trenit bullgar”.

Berisha publikoi një video ku pretendon se është përdorur “mekanizmi i manipulimit nëpërmjet trenit bullgar”.

Sipas Berishës “nxjerrja e një flete të plotësuar dhe të vulosur jashtë qendrës nuk mund të ketë kurrë asnjë arsye tjetër përveç trenit bullgar”.

“Tani, besoj se kjo gjë, një fletë e plotësuar, një fletë e vulosur, nxirret nga qendra e votimit pa u futur në kuti, është dëshmi absolute e trenit bullgar. Që të faktosh tjetrën, duhet të kesh kamera jashtë lokalit të shohësh atë që e merr. Po çfarë kemi të faktuar ne? Qendrat ilegale të PS rreth qendrave të votimit ku njerëzit shkonin dhe bënin shkëmbimet. Por nxjerrja e një flete të plotësuar, të vulosur, nuk mund të ketë kurrë asnjë arsye tjetër përveç trenit bullgar. Asnjë arsye tjetër. Ka ligje për administrimin e asaj flete. Ka shkelur çdo ligj ai komisioner që ka kryer krim të shëmtuar. Pra, ai e di që është dokument ligjor fleta e votimit dhe ai nuk pyet, ai e merr, e fsheh, pastaj i vë dy vula, voton mbi të dhe gjen rastin ta nxjerrë nga dera, siç e shihni. Kjo është gjëja më evidente”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “kjo qendër votimi ndodhet në Elbasan, në një fshat të Elbasanit, emrin e të cilit i kam në dokumente të tjerë që do ua nisim”.

Sipas Berishës rasti duhet hetuar, ndërsa shtoi se kreu i SPAK “është bashkëautor në krimin elektoral”.

“Me dhjetëra e dhjetëra raste, ai i mbuloi të gjitha”, tha Berisha.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›