‘Berisha n’burg’, kreu i PD sulm ‘Flamingove’: I kapën për fyti, donin të na zëvendësonin, por ne e mbajtëm gjallë protestën! Të bashkojmë faktorin opozitar

Flamingot i lavdëron për sheshet që mbushën në protestat që u nxitën nga investimi në Zvërnec, por i sulmon për sloganin “Berisha në burg”. Për kryedemokratin, protesta ishte madhështore, deri kur bashkë me thirrjet “Rama në burg”, u dëgjua edhe “Berisha në burg”.
“Mirëpo çfarë ndodhi? Për koincidencë fatale, flamingon e kapën për fyti. E kapën për fyti me sloganin sine qua non ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Me këtë slogan, këta besëprerë në zbatim të projekteve të Edi Ramës dhe të tjerëve, menduan se skenari serb i zëvendësimit të opozitës së vërtetë, që kishte qëndruar në kushte më të vështira, që kishte rezistuar një kalvari të paprecedent në historinë e Evropës, një force politike që në mbrojtje të parimeve të njerëzve të lirë, donin ta arkivonin”, tha Berisha.
Në takimin me kryetarët dhe sekretarët e degëve, Berisha nuk kurseu as akuzat për organizatorët. I quajti besëprerë dhe i akuzoi se punonin për Edi Ramën, me synimin për të zëvendësuar opozitën. Sipas tij, pas gjithë këtij skenari qëndronte sërish George Soros.


“I gjithë synimi ishte krijimi i një opozite tjetër. I një opozite, siç e do Edi Rama me patronin e tij, George Soros. Pyesin shumë, kush ishte mbrapa? Kush organizonte? Po ju e keni parë. Ata kanë emër mbi emër, ishin organizatat sorosiane në krye. Ishin ato, të cilat, të cilat, hoqën maskat nga organizatat e shoqërisë civile, u shndërruan në qeliza politike të ekstremit të majtë dhe kërkonin të likuidonin opozitën”, vijoi kreu i PD.
Megjithatë, pjesëmarrjen e demokratëve në të njëjtën protestë e quajti vendimin e duhur, duke thënë se ishte PD ajo që e ka mbajtur gjallë dhe organizuar protestën e flamingove.
“Kishte mjaft, jo pak, që shtronin pyetjen, pse të shkojmë ne atje, ku hedhin parrulla. Ne ishim shumë të hapur, shumë të ndershëm, ne u thamë mbështetësve dhe simpatizantëve dhe anëtarëve tanë, ne shkojmë atje, ata që hedhin parrullat janë armiqtë tanë. Por duke konsideruar të keqen më të madhe Edi Ramën, atëherë ne përshtasim parimin e njohur që nga kohët e lashta, armiku i armikut tim, është aleati im.
Demokratët duhet të ndjehen krenarë, se ata në respekt të qytetarëve dhe të të rinjve vazhduan protestën dhe ne ishim partia me shumicë, ndër të gjitha partitë në atë protestë sepse kishte dhe nga parti të tjera pa diskutim, kishte dhe socialistë pa diskutim”, theksoi Berisha.
Pas akuzave për flamingot, Berisha kaloi sërish te përpjekjet e tij për të përvetësuar protestën e studentëve. Ndonëse këta të fundit i përzunë demokratët nga tubimi fundjavën e kaluar, Berisha e paraqiti PD-në si mbrojtëse të tyre dhe tha se protesta e thirrur këtë të shtunë nga demokratët ka si qëllim të tregojë se partia është me të rinjtë.
“Ndaj dhe dita e shtunë është një protestë jashtëzakonisht e rëndësishme. E thërrasim këtë protestë në mbështetje të studentëve. Në mbështetje të plotë të tyre. E thërrasim këtë protestë për t’u provuar atyre se Partia Demokratike është dhe do qëndrojë në krah të tyre, gjithnjë deri në fitore. Partia Demokratike sot fton të gjitha forcat politike të bashkohemi në mbështetje të revoltës studentore. Ata që nuk gjejnë forcë, por nxjerrin pretekste, ata nuk duan largimin e Edi Ramës”, tha Berisha.
Edhe situatën e krijuar në Tiranë, me përplasjen e hapur Veliaj-Rama, kërkon ta shfrytëzojë duke harruar deklaratat e tij se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe bën thirrje për bashkimin e të gjithë forcave politike në një front opozitar.
“Opozita në fakt sot është shumicë në Tiranë dhe ju garantoj që është shumicë në Shqipëri. Por në këtë mbledhje, mesazhi im kryesor për ju është që do bëni çdo përpjekje në rrethet tuaja, në qytetet tuaja, në qarqet tuaja për një front sa më të gjerë antinarkoshtet.
“Nuk jemi ne që bashkojmë qelbësirat, por ne do bashkojmë dhe do bashkohemi me të gjitha forcat politike, qytetarët, idealistët, trimat e vendosur për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim. Qelbësirat do t’i kthejmë, do t’i çojmë atje ku e kanë vendin, para ligjit”, thotë Berisha.
Kreu i PD-së përsëriti thirrjet për largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Ndërsa drejtuesve që i thonë se demokratët janë lodhur, u dha sërish të njëjtën ‘’recetë”.
“Kilometri i fundit, edhe një herë mos harrojmë, më i lodhshmi është gjithmonë kilometri i fundit. Po këtë kilometër do ta bëjmë dhe do ecim të sigurt drejt fitores.”
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:30
‘Demokratët janë lodhur’, Berisha e pranon por i frymëzon me të njëjtin 'refren': Kilometri i fundit është më i vështiri, por do ta bëjmë

Sali Berisha pranoi se drejtuesit e degëve i përcjellin shqetësimin se demokratët janë lodhur, por u kërkoi sërish mobilizim për protestën e së shtunës. E vetmja alternativë që Berisha u ofron është refreni që po përdor prej kohësh, se janë në kilometrin e fundit drejt fitores.
"Këtë të shtunë, përpjekjet të jashtëzakonshme për mobilizimin më maksimal tonin. Ndërkohë në rrethe do të nxisni çdo lloj proteste kundër këtij regjimi. Nuk mund të ketë paqe për narko-diktatorin e vetëm në Europë, Edi Rama. Asnjë ditë. Sot më shumë se kurrë, Partia Demokratike duhet të qëndrojë në këmbë. Unë e kuptoj vijnë dhe më thonë me të drejtë drejtues që demokratët janë lodhur, ne në këtë jemi lodhur. Janë lodhur, s’ka diskutim. Por kilometri i fundit, edhe një herë mos harrojmë, më i lodhshmi është gjithmonë kilometri i fundit. Po këtë kilometër do ta bëjmë dhe do ecim të sigurt drejt fitores", tha Berisha.