Berisha në Kamzë: Lista e ilaçeve të rimbursueshme, si ajo e Italisë

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, drejtues i koalicionit “Shqipëria Madhështore”, u ndal gjatë takimit elektoral të zgjedhjeve parlamentare në Kamzë tek shëndetësia.
Berisha u tha qytetarëve të pranishëm se programi që paraqet koalicioni është për të gjithë shqiptarët.
Ai theksoi se gjendja e kujdesit shëndetësor është katastrofike.
“Para dy ditësh, INSTAT-i i qeverisë deklaroi se shqiptarët shpenzojnë për kujdesin e tyre shëndetësor nga xhepi- ky që premtoi shëndetësinë falas- shpenzojnë nga xhepi 820 milionë euro në vit, shpenzojnë më shumë se çdo komb tjetër”, u shpreh Berisha.
“Ne importuam gjatë 8 viteve 100 milionë euro aparatura, sollëm aparaturat më modern”, deklaroi Berisha ndërsa shtoi se këto aparatura sot janë jashtë përdorimit, në mënyrë që sipas tij, analizat të bëhen tek privati.
“Sot të sëmurët me sëmundjet më të rënda, të cilat i kanë jetike ilaçet, nuk vdesin nga sëmundjet, por nga mungesa e ilaçeve”, vijoi Berisha.
Ne, vijoi Berisha, bëjmë që shqiptarët të mund të ushqehen, të mund të marrin ilaçet me rimbursim.
“Dhe u garantoj ju, se këtu, shumica juaj këtu kush ka njerëz jashtë, gjënë e parë që i kërkon janë ilaçet, se këtu shiten ilaçe pa efekt”, tha ai.
“Garantoj se nuk do ketë më nevojë ilaçe prej tyre sepse listën e ilaçeve që Italia rimburson për qytetarët e vet, Shqipëria do e sjellë një për një”, tha Berisha duke shtuar se emigrantët që do të kthehen në Shqipëri, do kenë pesë vite pa asnjë taksë.