Rama: Mesazhi i 11 majit, e duam anëtarësimin në BE më shumë se çdo parti

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se zgjedhjet e 11 majit kanë rëndësi jo vetëm për faktin se do të vendoset se kush do të qeverisë vendin për katër vitet e ardhshme, por edhe në një aspekt më të gjerë.
Sipas Ramës, këto zgjedhje kanë rëndësi së pari si shqiptarë sepse janë një takim me historinë për të ndarë mendjen dhe për kapërcyer çdo lloj pengese apo ngjyrë partie.
“Duhet të nxjerrim nga kutitë e votimit një mesazh shumë të fortë dhe një energji shumë të madhe, për t’i mbyllur ato negociata brenda 2027-ës dhe për t’i thënë Evropës që ne shqiptarët këtë herë njësoj siç bëmë në mars të vitit 1992, kur nuk ishim të gjithë me PD-në, por votuam me një shumicë të madhe për PD sepse ishte koha e duhur, vendi i duhur dhe ajo forcë ishte aty për të ndarë historinë tonë. Këtë herë votuam që ju miq evropianë të kuptoni se ne e duam anëtarësimin në BE më shumë se çdo parti dhe mbi çdo konflikt dhe dasi partiake”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te një tjetër fenomen, që sipas tij është i dukshëm në zona në zhvillim dhe në lagje si Astiri, Kombinati apo Kashari dhe që lidhet me zënien e hapësira publike pa kriter, për t’i kthyer ato në parkingje.
Rama tha se ky fenomen do të marrë fund, pasi individë të caktuar, edhe pse mund të jenë pronarë me letra të tokës, nuk mund të zaptojnë sheshe apo rrugë kalime pa asnjë lloj autorizimi apo lejeje të dhënë me ligj, apo miratim nga komuniteti.
“Dhe ka shumë pika të tilla që janë problem dhe tjera që dua të them për këtë territor. Ne kemi bërë shumë investime, sidomos në Kombinat për rindërtimin e shkollave që u prekën nga tërmeti. Sot, Tirana, Durrësi, Kamza, Kruja, Fushë Kruja edhe Lezha, kanë shkolla shumë të mira evropiane. Por, nga ana tjetër është shumë e qartë që Kashari, Astiri kanë nevojë për më shumë për fëmijët, edhe më të vegjlit. Për çerdhe kopshte, shkolla dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me siguri. Dhe në mbyllje, dua t’ju them që zgjedhja për qytetarët e Tiranës në 11 maj më duket mua është shumë e thjeshtë edhe për vetë interesin e tyre, përtej zgjedhjes si shqiptarë”, pohoi Rama.