Berisha në Vlorë: Nga secili prej nesh kërkohet ripërtëritje

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha theksoi sot domosdoshmërinë e ripërtëritjes së PD-së, duke e cilësuar komunikimin me qytetarët si një nga sfidat kryesore të opozitës.
Gjatë turit të “Foltores së Ripërtëritjes” në Vlorë, Berisha u shpreh se demokratët janë ata që do ta shpëtojnë Shqipërinë.
“Nga secili prej nesh, duke filluar nga kryetari, kërkohet ripërtëritje”, deklaroi ai.
Duke folur për fazën e re të Partisë Demokratike, Berisha theksoi se modeli i funksionimit gjatë periudhës së rezistencës nuk është i mjaftueshëm për sfidat e reja.
“Kërkohet të bindim veten se me atë mënyrë funksionimi, me atë model që kemi praktikuar në qëndresë, në rezistencë, nuk do përmbushim dot rolin tonë”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë për situatën demografike, varfërinë dhe problematikat e pronave.
“Shoku demografik është poshtërsia më e rëndë e këtij pushteti”, deklaroi Berisha, duke kritikuar rënien e lindjeve dhe emigracionin.
Kryedemokrati premtoi rritje të pagave dhe pensioneve, ndërsa u ndal edhe te problematikat me çështjen e pronave në Vlorë.
Berisha tha se PD synon një proces të gjerë “ripërtëritjeje” për Shqipërinë.
Në këtë drejtim, ai kërkoi mobilizimin e demokratëve përballë zhvillimeve të fundit politike. “Zhvillimet kërkojnë që PD t’u përgjigjet flakë për flakë. Ne nuk mund të pranojmë një poshtërim të përditshëm të shqiptarëve nga ky regjim’” deklaroi Berisha.
Ai theksoi nevojën për ripërtëritjen e strukturave të PD-së, duke kërkuar më shumë angazhim të të rinjve dhe grave. Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje në protestat në Tiranë.
“Sot vendi i çdo demokrati është në shesh, është në përballje, është në betejë”, shtoi ai
Po ashtu Berisha tha se ripopullimi i Shqipërisë dhe rikthimi i shqiptarëve nga emigracioni do të jenë në qendër të programit të tij qeverisës.
“Politika e ripopullimit do të jetë boshti kryesor i qeverisjes sonë”, u shpreh Berisha gjatë “Foltores së Ripërtëritjes”.
Ai tha se do të zbatohen edhe politika demografike për rritjen e lindshmërisë, duke theksuar se rikthimi i shqiptarëve në vend do të jetë një prioritet.
“Një komb që shkon poshtë, ka humbur fatin e tij, ka humbur të ardhmen e tij. Ne do t’i rikthejmë Shqipërisë fatin, të ardhmen e saj”, deklaroi Berisha.
Ai u ndal edhe te potencialet ekonomike dhe turistike të Vlorës, duke argumentuar se ato mund të krijojnë mundësi për banorët dhe për shqiptarët që janë larguar nga vendi.
/m.m/j.p/