Hyseni iu dorëzohet autoriteteve shqiptare në kufi me Kosovën

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Ish-kryetarja e Shërbimit Informativ Shtetëror Vlora Hyseni iu është dorëzuar pasditen e sotme autoriteteve shqiptare në kufi me Kosovën pasi ndaj saj është marrë masa e “arrestit në shtëpi” nga ana e GJKKO.
Mediet raportuan se Vlora Hyseni ka qenë brenda territorit të Kosovës dhe iu është dorëzuar autoriteteve në pikën kufitare në Vërmicë, Morinë.Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të shoqëruar me pezullimin nga detyra pasi sipas SPAK, hetimet e lidhin atë me dosjen e AKSHI-t.
Në njoftimin zyrtar të SPAK thuhet se Hyseni po hetohet për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”.Masa e njoftuar paraditen e sotme nuk u ekzekutua pasi Hyseni ndodhej në një vizitë pune në Baku të Azerbajxhanit, ku merrte pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama njoftoi lirimin e menjëhershëm nga detyra të Vlora Hysenit nga SHBA ku ndodhet për vizitë zyrtare ndërsa Presidenti e dekretoi shkarkimin mbrëmjen e sotme.