E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha paralajmëron vazhdimin e protestave në gjithë Shqipërinë: Salianji mbetet i vetë‑përjashtuar!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat pas protestës së opozitës, tha se tubimi i djeshëm ishte paqësor dhe se qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nderuan në mënyrë dinjitoze 22 marsin, ditën e parë të demokracisë.

Ai e cilësoi demonstratën si një shprehje të revoltës dhe zemërimit të një kombi të tërë.

Berisha theksoi se mesazhi i protestës ishte i qartë: “Në Shqipëri, në kushtet e sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet. Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje. Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën.”

Ai shprehu mirënjohje për qytetarët që morën pjesë në protestë, duke i cilësuar si të pamposhtur dhe të vendosur për kryengritje paqësore.

Berisha shtoi se opozita do të vazhdojë rrugën e saj deri në rikthimin e votës së lirë dhe shtetit ligjor.

I pyetur nga gazetarët, Berisha paralajmëroi se protestat nuk do të kufizohen vetëm në Tiranë.

“Do të ketë kudo protesta. Aty ku është pakënaqësia do të ngrihet protesta. Regjimi do të përballet në të katër anët e vendit me qëndresën e fuqishme popullore.”

Në lidhje me lëvizjen e deputetit Ervin Salianji, Berisha u shpreh se “E birësuan dhe ta gëzojnë. I vetë-përjashtuari është i vetë-përjashtuar, nuk ndryshon asgjë. Por birësimet kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjitha kohërat. E birësuar, iku mori fund… Po të mos birësohej do të ishte. Ai zgjodhi vetë-birësimin, iku mori fund. Të lutem tani se nuk kam kohë të merrem me atë problem.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›