Berisha pas miratimit rezolutës së CDI: PD do të vijojë denoncimet kundër narko-shtetit

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, falënderoi CDI-në për miratimin e rezolutës mbi situatën në Shqipëri, duke deklaruar se vendi është shndërruar në narko-shtetin e vetëm në Evropë. Berisha tha se klanet shqiptare të kokainës dominojnë tregun evropian.
Berisha theksoi se ekonomia po shkatërrohet ndërsa ndërtimi po fryhet nga paratë e pista, dhe se mbi 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi në 10 vitet e fundit.
“Nëse shikoni ekonominë tonë, ajo është dëmtuar tmerrësisht nga miliarderë të tillë të drogës. Prodhimi industrial, prodhimi bujqësor dhe eksportet që po dështojnë vit pas viti. Ndërsa ka një sektor që po lulëzon gjithnjë e më shumë, dhe ky është ndërtimi. Indeksi i ndërtimit në Shqipëri është tri herë më i lartë se indeksi mesatar i BE-së.
“Në 10 vjet, vetëm për zonën e BE-së 1,099,000 shqiptarë u larguan nga vendi, pa llogaritur ata që u larguan në rajone të botës”, tha Berisha.
Ai u shpreh mirënjohës për rezolutën dhe theksoi se PD do të vazhdojë betejën për ta denoncuar këtë situatë deri sa partnerët evropianë ta marrin seriozisht kërcënimin.
“Në Evropë, askush nuk do të na dëgjojë të flasim për narko-shtetin. Ky është një problem i madh. Ne e bëjmë për hir të kombit tonë, por e bëjmë edhe për hir të kombeve të tjera. Ne jemi mirënjohës për votimin e kësaj rezolute, pavarësisht vështirësive tona. Ju siguroj se ne do të luftojmë kundër kësaj situate të tmerrshme në vendin tim me shpresën se një ditë institucionet evropiane, partnerët evropiane do ta kuptojnë se droga është një kërcënim i madh për sigurinë e kombeve të tyre”, tha Berisha.
Gjithashtu, PD njoftoi se Partia Popullore Evropiane (PPE) publikoi një video zyrtare nga punimet e Asamblesë së Unionit Demokratik Ndërkombëtar (CDI), të mbajtur në Sao Paolo të Brazilit, ku merr pjesë si organizatë anëtare.
Në deklarimin e saj, eurodeputetja dhe Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat, prezantoi katër përfundimet kryesore të përbashkëta të punimeve.
“Ne insistojmë që anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian të kushtëzohet me ndalimin e rrëshqitjes demokratike dhe kapjes së mediave dhe drejtësisë, të kryera nga një lidership i lidhur me trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave”, thuhet në deklaratë.
/m.q/a.f/