E Diel, 1 Nëntor 2026

Para se qyteti të zgjohet: Jeta e tregut të fundjavës në “Myslym Shyri”

TIRANË, 23 nëntor /ATSH-E.Xhajanka/ – Çdo fundjavë, para se Tirana të zgjohet plotësisht, një pjesë e saj është tashmë në lëvizje. Ende pa gdhirë, në rrugën “Myslym Shyri” nis të ndihet aroma e tregut tradicional të fundjavës që frymon mu aty nga mesi i rrugës së njohur kryeqytetase: zhurma metalike e koshave që tërhiqen nëpër asfalt, mërmërimat e para të shitësve, tingujt e motorëve të kamionçinave që sjellin mallra nga periferia. Në të ftohtin e mëngjesit, tregu i fundjavës shpalos ritmin e tij, një ritëm që për shumë familje është jetik.

Familja Dervishi – cikli i një dite që nis në errësirë
Në hyrje të tregut, aty ku kalimtarët ndalojnë më shpesh, qëndron tezga e familjes Dervishi. Prej 12 vitesh, ata sjellin prodhimet e serave të tyre: domate të kuqe të mbledhura një natë më parë.

Luljeta Dervishi, e veshur ngrohtë, me duar të forta që tregojnë vite pune në tokë, e nis ditën në orën 4 të mëngjesit. “Ne nuk kemi ndërmjetës. Ajo që marrin njerëzit këtu është çfarë mbledhim vetë,” thotë ajo teksa rregullon kasetat me një kujdes që duket ritual.

Fëmijët e saj janë rritur mes tezgave, mes thirrjeve të klientëve dhe aromës së produkteve të freskëta. Sot, klientët e përhershëm i drejtohen me emër. “Kur të kthehet dikush vetëm për domatet e javës së kaluar, e kupton që puna jote bën diferencë,” shton ajo duke buzëqeshur.

Dritani – artizani që sjell pyllin në qytet
Pak më tutje, në një cep ku zhurma sikur zbutet pak, Dritani gdhend një lugë druri me një thikë të vogël që e mban prej vitesh. Aroma e drurit të freskët përhapet rreth tij. Produktet e tij nuk janë ushqime, por objekte që mbajnë brenda një traditë të vjetër familjare.

“Gjyshi im ka punuar dru gjatë gjithë jetës. Ajo që bëj këtu është një vazhdim i atij zanati,” tregon ai.

Tregu i fundjavës për të është një skenë e pazëvendësueshme. “Këtu njerëzit të pyesin, të shohin në sy, të tregojnë pse duan një enë të caktuar. Kjo komunikim s’e gjen dot në internet,” thotë Dritani, ndërsa një çift i ri ndalet i magjepsur nga një tas i vogël i gdhendur me motiv tradicional.

Elirsa – brezi i ri që rikthehet te toka
Në zemër të tregut bie në sy një tezge e rregulluar me shumë kujdes, ku çdo produkt mban etiketë: llojin e varietetit, datën e mbledhjes, edhe mënyrën e kultivimit. Kjo është puna e Elirsës, 29 vjeçe, një agronome që, pasi ka mbaruar studimet, ka vendosur të rikthehet në fshatin e saj.

“Ka konsumatorë që duan qartësi. Nuk mjafton më të thuash ‘është bio’. Duhet t’ua tregosh,” shpjegon ajo.

Tregu është laborator i saj social: këtu sheh se çfarë kërkojnë qytetarët, cilat varietete pëlqehen më shumë, cilat janë tendencat e sezonit. Me metodat moderne të kultivimit, ajo ka rritur jo vetëm prodhimin, por edhe kuriozitetin e blerësve të rinj që ndalojnë për të mësuar më shumë.

Tregu – një urë mes tokës dhe qytetit
Në këtë mozaik njerëzish, zejesh dhe historish personale, tregu i fundjavës është më shumë sesa një hapësirë blerjesh. Ai është një takim i sinqertë mes qytetit dhe fshatit, mes brezave të vjetër dhe një gjenerate të re që po e sheh bujqësinë me sy modern.

Për blerësit, tregu është garancia e produkteve të freskëta dhe të sigurta. Për shitësit, është vendi ku prezantojnë mundin e tyre, ku një ditë e gjatë pune shndërrohet në histori familjare.

Kur mbyllen tezgat
Kur dita përfundon dhe zhurma shuhet, mbeten vetëm gjurmët e njerëzve që e kanë mbajtur tregun gjallë: lodhja, llogaritë në fund të ditës, fjalët e mira mes shitësve dhe listat e javës së ardhshme.

Por mbi të gjitha, mbetet krenaria që secili prej tyre ndan. Sepse këtu nuk shitet vetëm një produkt—këtu shitet një pjesë e jetës së tyre, një histori e kaluar dorë më dorë, një traditë që zgjohet çdo fundjavë bashkë me tregun.

Tregu i fruta-perimeve në Myslym Shyri, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 9

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›