Berisha për Zvërnecin: PD mbështet investimin e huaj, por po tentohet largimi i tij

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se, investimet e huaja janë të një rëndësie jetike për zhvillimin e Shqipërisë.
Berisha tha se “investitori i vetëm i huaj në 13 vite po përballet me përpjekje për t’u larguar nga Shqipëria. Po jua them qartë: prej 13 vitesh nuk ka asnjë investitor të huaj të rëndësishëm në tokën shqiptare”.
“Sipas ‘Europe Tender’, asnjë tender në Shqipëri nuk është fituar nga kompani europiane. Mos e harroni këtë fakt. Një prej kompanive më të fuqishme, e cila do të ndërtonte një resort turistik në Gjirin e Lalëzit me vlerë 1,5 miliardë euro, u përball me pengesa dhe presione të vazhdueshme deri në largimin e saj. Pronari i saj priste në zyra për zgjidhje, por pa rezultat”, tha Berisha.
“Sot nuk kemi asnjë investitor të huaj të rëndësishëm. Qëndrimi ynë është i qartë: ne besojmë se investimet e huaja janë jetike për zhvillimin e Shqipërisë. Gjatë periudhës kur qeverisëm vendin u realizuan investimet më të mëdha në historinë e Shqipërisë. Vetëm në sektorin energjetik investimet arritën në rreth 2 miliardë euro. U realizuan projekte historike si Trans Adriatic Pipeline (TAP), kaskada e Devollit dhe projektet energjetike në lumin Fan. Nga viti 2008 deri në vitin 2013, investimet e huaja varionin nga 1,2 deri në 1,4 miliardë euro në vit”, tha Berisha.
“Ndërkohë sot, Partia Demokratike vazhdon të mbështesë investimet e huaja, por ju (mazhoranca – shën. i red.) po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Mbajeni shënim këtë. Nëse një investitor disponon një projekt të miratuar nga qeveria dhe dokumente të firmosura nga institucionet zyrtare, Kadastra dhe agjenci të tjera shtetërore, atëherë, pasi shteti e ka miratuar projektin, investitori nuk duhet të mbajë përgjegjësi për konfliktet e mëvonshme”, tha Berisha.
“Çdo qytetar që pretendon padrejtësi apo abuzim duhet të përballet me shtetin, i cili ka detyrimin ta dëmshpërblejë me vlerën reale të tregut dhe, njëkohësisht, të ndëshkojë me forcën e ligjit falsifikatorët dhe spekulantët”, tha Berisha.
“Sa i përket çështjes së pronës, Partia Demokratike qëndron për respektimin e plotë dhe absolut të së drejtës së pronës. Zgjidhja ka qenë dhe mbetet shumë e thjeshtë.
Po qe se ke projekt të miratuar nga qeveria, me dokumente të firmosura nga institucione zyrtare, prandaj u censurova, me dokumente të firmosura nga institucione zyrtare, Kadastra, agjencitë e tjera, dhe shteti ta miratonte ty projektin, askush tjetër nuk kishte të bënte më me ju, investitorin. Jo!
Çdo qytetar, për çdo padrejtësi, për çdo abuzim, kishte shtetin, i cili do ta dëmshpërblente atë me kushtet e tregut dhe do të ndëshkonte me forcën e ligjit falsifikatorin dhe spekulantin”, tha Berisha.
/gj.m/a.f/r.e/