Qindra fëmijë nga e gjithë Shqipëria festuan 1 Qershorin në Kuvend

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Shërbimi i Edukimit Qytetar në Kuvend organizoi “Ditën e Hapur për të drejtat e fëmijëve”, duke mirëpritur qindra vogëlushë, nxënës, mësues e prindër nga qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Elbasanin dhe zona të tjera.
Përgjatë gjithë ditës, ambientet e Kuvendit u mbushën me ngjyra, buzëqeshje dhe energjinë e fëmijëve, të cilët morën pjesë në aktivitete argëtuese dhe edukative të organizuara në oborrin e Kuvendit, në një atmosferë festive kushtuar të drejtave, mirëqenies dhe lumturisë së tyre.
Fëmijët patën mundësinë të vizitonin Kuvendin, të njiheshin me institucionin dhe rolin e tij në jetën demokratike të vendit, si dhe të merrnin pjesë në aktivitete të ndryshme që promovonin vlerat e respektit, përfshirjes, barazisë dhe bashkëjetesës.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte pjesëmarrja e deputetëve të grupit parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, të cilët u bashkuan me fëmijët në festimet e organizuara dhe përcollën mesazhe mbështetjeje për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Prania e deputetëve krijoi një mundësi të veçantë komunikimi mes fëmijëve dhe përfaqësuesve të zgjedhur, duke e bërë këtë ditë edhe më kuptimplotë.
Përmes organizimit të Ditës së Hapur, Kuvendi rikonfirmon angazhimin për të afruar institucionin me qytetarët që në moshë të hershme dhe për të promovuar edukimin qytetar si një investim të rëndësishëm për të ardhmen demokratike të vendit.
/gj.m/r.e/