E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha për kreun e ri të SPAK: U zgjodh sipas Kushtetutës, jo si Dumani

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Klodjan Braho, u zgjodh sipas Kushtetutës dhe jo si pararendësi i tij që ishte jokushtetues.

Berisha gjithashtu komentoi edhe faktin se kandidatja Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Dje u zbatua Kushtetuta. Nuk u zgjodh si i pari me 5 vota, që ishte jokushtetuese dhe që nuk mund të rrinte asnjë ditë në detyrë. Jo. I dyti mori 7 vota dhe komenti i dytë, aty ishte një zonjë, çka tregon se ajo trupë e KLP-së është mizogjenike dhe nuk i dhanë asnjë votë.  Kështu është. Ishte një zonjë aty, ajo nuk shkoi vetë aty. Aty në KLP e dërgoi komisioni i Skapit, shkoi atje dhe dy-tri zonja që ishin në KLP nuk menduan t’i jepnin një votë. E nxorën pa asnjë votë.

“Këto dy komente kam unë për zgjedhjet e djeshme. U zgjodh në përputhje me Kushtetutën, në dallim të madh nga pararendësi i tij, që nuk ka Kushtetutë, as ligj, por këtu u zbatua Kushtetuta. Kishin bërë rregulloren vetë për votim të hapur, gjersa kanë rënë dakord, në ujdi. Normal në institucione votimi është i mbyllur, por ata kanë rënë dakord vetë dhe nuk mund t’ua diskutojë kush të drejtën për të vendosur si të votojnë”, tha Berisha.

KLP zgjodhi dje për një mandat tre vjeçar Klodjan Brahon si drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Braho mori 7 vota, pas tij me tri vota u rendit Adnan Xholi, Elvin Gokaj mori 1 votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›