E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Vijojmë pa pushim lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Në të gjithë territorin e vendit, po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Vijojmë pa pushim, lirojmë hapësirat publike”, tha Rama, ndërsa ndau pamje nga prishja e një godine të ndërtuar pa leje.

E nisur në muajin korrik, nisma për lirimin e hapësirave publike është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 16 710 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 12 840 raste, ndërsa 3 870 të tjera janë në proces shqyrtimi.

Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›