E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha takon komisionerin Hahn: Keqqeverisja ka sjellë erozion të standardeve demokratike

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me ish-komisionerin e Zgjerimit të Bashkimit Europian, Johannes Hahn.

Siç njofton Zyra e Medias dhe Komunikimit në PD, takimi u zhvillua “për të diskutuar mbi situatën politike dhe demokratike në Shqipëri”.

“Në qendër të bisedës ishin shqetësimet e thella mbi gjendjen e demokracisë në vend, përfshirë kapjen e institucioneve, presionin ndaj opozitës, dhe largimin masiv të qytetarëve shqiptarë”, njoftoi PD.

Sipas Berishës “keqqeverisja ka sjellë një erozion të standardeve demokratike”.

PD njoftoi se Berisha “ngriti shqetësime edhe për heshtjen dhe qëndrimin pasiv të disa zyrtarëve në Bruksel dhe ambasadorëve të huaj, të cilët sipas tij kanë mbyllur sytë ndaj këtyre fenomeneve”.

Nga ana tjetër, siç njofton më tej PD, “Komisioneri Hahn shprehu angazhimin e tij të plotë për të qenë një avokat i fortë për forcimin e demokracisë në Shqipëri dhe për të mbështetur integrimin europian të vendit. Ai u zotua se do ta ngrejë zërin për të gjitha problematikat që janë ngritur nga Partia Demokratike dhe që janë pasqyruar në rezolutat e mbështetura nga Partia Popullore Europiane (PPE)”. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›