E Martë, 3 Nëntor 2026

Kongresi i PPE, Berisha takime me kreun e LDK-së dhe kryeministrin kroat

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Gjatë Kongresit të Partive Popullore Evropiane që u mbajt në Valencia, Berisha zhvilloi takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe stafin e tij.

Zyra e medies dhe komunikimit në PD njoftoi se gjatë takimit u “reflektuan lidhjet e kahershme dhe bashkëpunimin tradicional mes dy partive simotra të qendrës së djathtë në hapësirën shqiptare”.

“Në qendër të diskutimeve ishin sfidat politike me të cilat përballen Kosova dhe Shqipëria në dy faza të ndryshme të proceseve zgjedhore – Kosova në periudhën paszgjedhore dhe Shqipëria në prag të zgjedhjeve. Të dy liderët ndanë analiza mbi zhvillimet e fundit politike në vendet e tyre, duke theksuar nevojën për qasje të bashkërenduar dhe mbështetje të ndërsjellë në përballimin e sfidave demokratike, si dhe forcimin e institucioneve përfaqësuese dhe demokratike”, thuhet në njoftim.

“Si përfundim, u theksua domosdoshmëria për një bashkëpunim më të ngushtë mes LDK-së dhe PD-së, jo vetëm në kuadër të përkatësisë së përbashkët ideologjike dhe anëtarësisë në familjen e Partive Popullore Evropiane, por edhe për shkak të përgjegjësisë historike dhe kombëtare që mbartin. Palët u zotuan të thellojnë koordinimin për interesa të përbashkëta politike, për të forcuar vlerat demokratike dhe për t’u përballur së bashku me sfidat që i presin dy vendet dhe mbarë kombi shqiptar”, njoftoi zyra e medies dhe komunikimit në PD.

Berisha gjithashtu zhvilloi edhe një takim bilateral me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç.

“Takimi u zhvillua dhe me pjesëmarrjen edhe të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, si dhe Ministres së Kulturës dhe Medias, Nina Obuljen Koržinek”, njoftoi zyra e medies dhe komunikimit në PD.

Sipas PD-së “gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet politike në Shqipëri, sfidat që vijnë nga regjimi aktual, si dhe zgjedhjet e ardhshme vendore të 11 majit. Kryeministri Plenković dhe delegacioni kroat shprehën mbështetjen për proceset demokratike në Shqipëri, dhe vlerësuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit politik dhe institucional ndërmjet forcave të qendrës së djathtë në rajon”.

“Palët riafirmuan angazhimin për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe, me theks të veçantë në fushat e diplomacisë, kulturës dhe integrimit evropian, në funksion të forcimit të lidhjeve mes dy vendeve dhe përparimit të interesave të përbashkëta”, njoftoi zyra e medies dhe komunikimit në PD. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›