Berset për ATSH: Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, sinjal i fortë për Shqipërinë

TIRANË, 15 maj /ATSH-Gjergji Mima/ Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku do të marrë pjesë edhe në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë dha një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ku foli për rëndësinë e mbajtjes së Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, për procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, progresin në reformat kyçe për integrimin në BE, rëndësinë e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe fuqinë e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen demokratike të vendit.
Berset u shpreh se, Shqipëria po bën progres të mirë në drejtimin e duhur sa i përket rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE.
Ai gjithashtu shtoi se, mbajtja e Samitit të Komunitetit Politik Evropian është i rëndësishëm për Shqipërinë, si një sinjal i fortë për Shqipërinë si anëtare e rëndësishme e të gjithë familjes evropiane.
Intervista e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, për Agjencinë Telegrafike Shqiptare
ATSH: Cili është mendimi juaj për gjendjen e sigurisë demokratike në Evropë — një temë kyçe e theksuar në raportin më të fundit të Këshillit të Europës?
Berset: Sot jemi dëshmitarë të një regresi të demokracisë kudo. Po ashtu, jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike në botë dhe po shqetëson drejtpërdrejtë të gjithë kontinentin e Europës. Ajo që duhet të bëjmë sot është që të shohim familjen e madhe europiane – dua të them se kemi 46 vende anëtare në Këshillin e Europës, përfshirë një shtet të rëndësishëm si Shqipëria – dhe ne duhet të rimendojmë mënyrat se si duam të demokracinë dhe sigurinë në të gjithë kontinentin. Kjo është vërtet e rëndësishme. Është koha e duhur për ta bërë këtë, sepse situata botërore nuk është edhe aq e mirë në këto momente dhe është e domosdoshme për ne, për brezat e ardhshëm që të fillojmë ta bëjmë këtë tani.
ATSH: Sa e rëndësishme është për Shqipërinë që Samiti i Komunitetit Politik Evropian (KPE) po mbahet në Tiranë?
Berset: Mbajtja e Samitit të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri është shumë e rëndësishme, pasi ne duhet të takohemi, duhet të punojmë së bashku. Komuniteti Politik Europian është një krijimi i ri, që ka zhvilluar vetëm gjashtë samite deri më sot. Është një takim informal i krerëve të shteteve dhe qeverive. Mbajtja e takimeve dhe shkëmbimeve të tilla informale është gjithashtu e rëndësishme. Megjithatë, ne duhet të bëjmë më tepër se kaq dhe është pikërisht kjo pjesa ku Këshilli i Evropës mund të japë kontributin e tij. Ne kemi 76 vjet përvojë dhe ekspertizë me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, me përkushtimin e fortë për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës dhe është pikërisht ajo që kemi nevojë për garantimin e sigurisë demokratike. Për këtë arsye jam shumë i lumtur që do të jem i pranishëm. Mendoj gjithashtu se mbajtja e këtij Samiti është e rëndësishme për Shqipërinë, si një sinjal i fortë për Shqipërinë si anëtare e rëndësishme e të gjithë familjes europiane. Dhe Këshilli i Europës është shumë i përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Siç mund ta dini, s’mund të ketë anëtarësim të mundshëm, pa zbatimin e plotë të të gjitha reformave të Këshillit të Europës.
ATSH: Si e vlerësoni progresin e Shqipërisë në reformat e kërkuara për anëtarësimin në BE, veçanërisht në fushat e shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe pavarësisë së gjyqësorit?
Berset: Është pyetje me vend. Shqipëria po bën progres në drejtimin e duhur. Po bën progres të mirë. Është vërtet mbresëlënëse për ne zhvillimi që Shqipëria ka arritur në 30 a 35 vitet e fundit. Mjafton të kthejmë kokën për të parë se ku ka qenë Shqipëria në vitet 90. Dhe sot, 35 vjet më vonë është vërtet mbresëlënëse. Kjo është edhe arsyeja përse ne kemi një zyrë të rëndësishme të Këshillit të Europës këtu. Mendoj se 29 persona nga agjenci të Këshillit të Evropës punojnë këtu. Po ashtu, ne kemi një sërë projektesh të rëndësishëm për t’i zbatuar këtu. Ajo që mund të them për këtë është se është e rëndësishme për ne që të kuptojmë dhe të dimë se ku duhet të veprojmë, pasi ka një nevojë për progres në luftën kundër korrupsionit, kundër pastrimit të parasë. Ju përmendet gjithashtu edhe progresin e sistemit të drejtësisë dhe pavarësisë së gjyqësorit. Ne duhet t’i njohim këto dhe pastaj të zbatojmë reforma dhe ne qëndrojmë në krah të autoriteteve shqiptare në këtë aspekt. Më e rëndësishmja pastaj është zbatimi i tyre. Dhe për këtë duhet punuar çdo ditë. Kjo është vërtet e domosdoshme. Ky progres pastaj do të ndihmojë në përgatitjen e vendit për anëtarësim në BE. Por ky është vetëm një hap, që mbetet i rëndësishëm, pasi të gjitha vendet anëtare të BE-së janë gjithashtu anëtare të Këshillit të Evropës dhe respektimi i të drejtave të njeriut, shtetit ligjor dhe demokracisë, këto vende punojnë fort me Këshillin e Evropës, dhe do të mbeten një realitet edhe pas anëtarësimit të mundshëm të Shqipërisë në BE.
ATSH: Duke marrë parasysh tensionet aktuale gjeopolitike dhe përqendrimin e ri të BE-së në zgjerim, a mendoni se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë mund të përshpejtohet në të ardhmen e afërt?
Berset: Shqipëria duhet përshkojë të gjithë këtë rrugëtim. Dua të them se është e pamundur ta anashkalojë. Duhet të përshkoni të gjithë këtë rrugëtim, të kryeni të gjitha reformat. Por, siç e përmendet edhe ju, ka edhe ndryshime gjeopolitike, që janë vërtet të rëndësishme në këto momente. Ekziston nevoja jo vetëm për të parë një vend në rrugën drejt anëtarësimit në BE, apo vende të tjera që nuk kanë avancuar në këtë drejtim, por edhe për të parë vullnetin e të gjitha vendeve anëtare të familjes së madhe europiane. Kjo është e rëndësishme. Ajo që duhet të bëjmë është që të ndërtojmë këtë cikël të sigurisë demokratike me qasje të barabartë të gjitha vendeve anëtare në këto elemente dhe po ashtu është e rëndësishme, sepse vetëm pas kësaj do të ishte e mundur të kishim një shoqëri të qëndrueshme dhe solide në të gjithë kontinentin, nëse e realizojmë këtë siguri. Sot për sot, për shkak edhe të luftës dhe agresionit rus kundër Ukrainës, elementëve të tjerë dhe paqëndrueshmërisë që shohim, reagimi i parë është që të investohet fort për sigurinë. Ju keni dëgjuar për investimin prej 800 miliardë eurosh në sisteme armatimi dhe të mbrojtjes. Kjo është gjë e mirë. E padiskutueshme. Sidoqoftë, nuk ka asnjë mundësi që të kemi stabilitet në terma afatgjatë vetëm nëse ky investim bëhet për sigurinë ushtarake. Ne duhet të ndërtojmë themele të forta të sigurisë demokratike, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për mbrojtjen e territoreve, por edhe për mbrojtjen e mënyrave të jetesës dhe demokracisë. Ne nuk duam të jetojmë nën diktaturë, por në demokraci, ku të drejtat e njeriut mbrohen plotësisht. Prandaj kjo lidhje mes territorit dhe demokracisë është aq e rëndësishme. Kjo pasi sot jemi në një situatë ku Europa, madje i gjithë kontinenti duhet të kërkojë mënyra që të jetë i fortë, pa qenë nevoja e asaj mbështetjes së fuqishme ndoshta nga Shtetet e Bashkuara. Ne duhet të kujdesemi për veten. Jam i sigurt se partneriteti me SHBA-në do të mbetet shumë i fortë. Jam i sigurt për këtë, pasi nuk shikoj asnjë akt ndryshe nga ana e SHBA-së. Këtë e shikoj si alternativë solide edhe e qëndrueshme. Por edhe ndryshimi që po ndodh është gjithashtu një realitet dhe ne duhe të jemi vetë të fuqishëm.
ATSH: Sa i rëndësishëm është stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor për aspiratat e Shqipërisë drejt BE-së, dhe çfarë mund të bëhet më shumë në këtë drejtim?
Berset: Është shumë i rëndësishëm. Të gjitha vendet e rajonit janë anëtare të Këshillit të Europës, me përjashtim të Kosovës. Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim dhe anëtarësimi i saj është aktualisht në tryezën e Komitetit të Ministrave, që do të vendosin se si do ta trajtojnë këtë aplikim. Por të gjitha vendet e tjera, nga Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë vende anëtare të Këshillit të Europës. Po ashtu edhe Kroacia. Në fakt të gjitha vendet e rajonit, pa qenë nevoja të përmendim secilin. Stabiliteti i rajonit është i një rëndësie parësore, jo vetëm për njerëzit që jetojnë këtu, apo për Ballkanin, por edhe për vetë Europën, për të gjithë kontinentin. Është shumë i rëndësishëm. Kjo është edhe arsyeja përse unë personalisht jam shumë shpesh i pranishëm në këtë rajon. Dua të them jo vetëm në Shqipëri, që është hera e katërt apo e pestë që po e vizitoj brenda 12 muajsh, vitin e kaluar dhe këtë vit, por edhe në vende të tjera. Së fundmi isha në Malin e Zi. Ne jemi të pranishëm, pasi zhvillimet pozitive në rajon janë të rëndësishme për stabilitetin e përgjithshëm. Por ndërkohë përballemi edhe me disa sfida. Bosnja dhe Hercegovina po përballet me disa sfida këto kohë, pasi situata po ndryshon shumë shpejt dhe kjo është shqetësuese për ne, pasi Bosnja dhe Hercegovina është vend anëtar i Këshillit të Europës dhe është vërtet e rëndësishme që ta ndjekim situatën dhe të bëjmë më të mirën për ta stabilizuar situatën.
ATSH: Çfarë mesazhi do t’i dërgonit të rinjve shqiptarë dhe atyre të rajonit në lidhje me të ardhmen europiane të vendit dhe rolin e tyre në formësimin e saj?
Berset: E para, është që rinia të përfshihet dhe të investohet në proceset demokratike. E di që ditët e fundit Shqipëria zhvilloi zgjedhje dhe është e rëndësishme që të zhvillohen zgjedhje në përputhje me vlerat e demokracisë dhe mesazhi kryesor për brezat e rinj do të ishte që ju gjithashtu duhet të aktivizoheni kur bëhet fjalë për mbrojtjen e demokracisë, shtetin e së drejtës dhe të të drejtave të njeriut. Kjo sepse pavarësisht faktit që në 15 vitet e fundit janë regjistruar shumë kriza. Dua të them se Ballkani Perëndimor ka qenë në luftë vite më parë. Sot lufta ka mbaruar, por rajoni nuk mbetet edhe aq i qëndrueshëm dhe sot. Pra pas 15 vitesh krizash të financave, shpërthimit të pabarazisë, rritjes së populizmit, pandemisë së COVID, kriza e ndryshimeve klimatike, lufta në Ukrainë në fillim në vitin 2014, lufta në Ukrainë nga agresioni në shkallë të gjerë në vitin 2022, brezi i ri mund të ketë krijuar përshtypjen që demokracia nuk po funksionon. Por nuk është kështu. Aktualisht kemi disa probleme, por jo për shkak të demokracisë, por për arsye të krizave. Para së gjithash ne kemi nevojë për stabilitet, parashikueshmëri lidhur me atë që duam të arrijmë dhe pastaj të mos harrojmë asnjëherë që nuk ka sistem më të mirë se sa demokracia për të formësuar veten se çfarë duam në të ardhmen. Përmes demokracisë ne gjithashtu i japim formë së ardhmes. Unë personalisht do të doja të vendosja nëse dua të pi një gotë ujë a diçka tjetër dhe nuk dua që këtë ta vendosin të tjerët për mua. Është e njëjta gjë për të jetuar në një vend dhe për t’i dhënë formë së ardhmes, jo vetëm për ne, por edhe për breza e ardhshëm, fëmijët tanë dhe për të parë se çfarë do të ndodhë në 10, 20, a 30 vitet e ardhshme. Kjo do të thotë të investohen fort në demokraci dhe në mjetet demokratike.
/u.sh//r.e/