Shqipëria në BE, Rama: Na është dhënë mundësi historike

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një konferencë të përbashkët për mediet me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, i cili ka ardhur në vendin tonë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve Rama u shpreh se, mbyllja e negociatava në vitin 2027 është një plan shumë ambicioz.
“Ne duhet të shfrytëzojmë këtë mundësi. BE është shumë e gatshme për të pranuar anëtar të rinj”, deklaroi ai.
Në përgjigje të pyetjes, nëse premtimi gjatë fushtës elektorale për t’i dhënë shqiptarëve pasaportën europiane do të jetë premtim i mbajtur edhe tani pasi qytetarët i besuan mandatin e 4-t, PS-së, Rama deklaroi se, i qëndron këtij premtimi duke e cilësuar këtë një mundësi historike për shqiptarët dhe Shqipërinë.
“Pyetja ishte se gjatë fushatës unë thashë diçka për të marrë votat dhe cirku mbaroi, apo ajo që thashë mbetet në fuqi? Unë po them që, jo vetëm që i qëndroj asaj që kam thënë, që neve na është dhënë mundësia historike, pasi janë rreshtuar yjet bashkë dhe BE ka hapur derën, ndaj duhet të hyjmë në atë derë, nëse ne bëjmë të gjitha ato që janë të shkruara dhe të përmbledhura në planin që kemi në tavolinë së bashku me Komisionin deri në fund të 2027-s. Ne do të bëjmë tonën, pasi nuk ka çfarë të bëjë as Antonio, që e do me zemër Shqipërinë dhe këtë proces, dhe as një mik tjetër, se BE funksionon me laps dhe kritere dhe standarde që duhen përmbushur. Pasi ne të bëjmë tonën, pastaj topi është në fushën e tyre për të hapur derën. Kjo është historike për ne. Ne jemi në mes të Europës, një nga popujt më të vjetër këtu dhe për sa kohë nuk do të hyjmë në BE do të mbetemi të huaj. Këtu nuk është çështje fondesh dhe prosperiteti, por është çështje dinjiteti, përkatësie dhe ne duam ta mbyllim këtë proces”, deklaroi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama e ftoi presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm, në përurimin e kampusit të Akademisë Europiane në Tiranë.
/r.e/