Biba: Kërkohet godinë e re, rishikim i hierarkisë së pagave dhe shtim i personelit në Autoritetin e Konkurrencës - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba prezantoi kërkesat buxhetore të institucionit për vitin 2027, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të shqyrtimit të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2027”.
Biba tha se nevojë urgjente është pajisja me një godinë të re për Autoritetin e Konkurrencës, çka u pohua dhe nga kreu i Komisionit për Nismat Qytetare, Fatmir Xhafaj. Më tej, Biba bëri të ditur se buxheti i parashikuar për Autoritetin e Konkurrencës për vitin 2027 është rreth 154,64 milionë lekë, nga 133,9 milionë lekë që ishte buxheti i rishikuar për vitin 2026, duke shënuar një rritje prej rreth 5,4%.
Gjatë raportimit, ai u ndal te realizimi i buxhetit aktual, duke theksuar se deri në fund të shtatorit 2026 janë realizuar rreth 71 milionë lekë, ose 53% e buxhetit, ndërsa deri në fund të vitit parashikohet një realizim prej rreth 80%.
Sipas Bibës, pjesa më e madhe e mosrealizimit lidhet me fondin e pagave dhe sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për shkak të pozicioneve vakante që nuk janë plotësuar. Ai shpjegoi se procedurat e rekrutimit nuk kanë sjellë interesimin e nevojshëm, ndërsa natyra e specializuar e punës dhe kufizimet e ligjit për shërbimin civil e bëjnë të vështirë tërheqjen e kandidatëve të kualifikuar.
“Ne kërkojmë njerëz të cilët dinë ta bëjnë atë punë, me karakteristika të paktën minimalisht të atij standardi që ne aspirojmë. Kështu që nuk kemi ndërmend të ulim standardet, por po na rezulton që nuk po arrijmë dot të plotësojmë vakancat”, u shpreh Biba.
Ai theksoi se për vitin 2027 përparësi kryesore mbetet forcimi i kapaciteteve njerëzore. Në këtë drejtim, kërkesa për strukturën e re parashikon nëntë pozicione shtesë, duke e çuar numrin e punonjësve nga 49, në 58. Gjatë vitit 2026 janë miratuar katër pozicione shtesë, ndërsa mbetet kërkesa për pesë të tjera.
Biba nënvizoi nevojën për krijimin e një Drejtorie Integrimi dhe të një drejtorie të posaçme hetimi, duke argumentuar se këto struktura janë të domosdoshme për përmbushjen e detyrimeve të institucionit në procesin e integrimit evropian dhe për ushtrimin e funksioneve të tij.
Në kërkesat buxhetore janë përfshirë edhe 16,1 milionë lekë shtesë për paga dhe 1,7 milionë lekë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, me qëllim plotësimin e strukturës. Sipas Bibës, fondet e miratuara gjatë vitit 2026 nuk mbulojnë koston e plotë vjetore të katër pozicioneve të parashikuara për Drejtorinë e Integrimit.
Sa i përket detyrimeve në kuadër të Kapitullit 8, Biba bëri të ditur se nga 82 akte të identifikuara, 50 janë miratuar, gjashtë janë trajtuar përmes dokumentacionit konceptual dhe janë në pritje të miratimit nga komisioni përkatës, ndërsa 26 të tjera janë në proces përfundimi, me synim miratimin deri në fund të vitit.
Kërkesat për mallra, shërbime dhe investime kapitale arrijnë në rreth 28,6 milionë lekë shtesë. Këto fonde, sipas tij, nevojiten për mbështetjen e hetimeve dhe inspektimeve, angazhimet që lidhen me integrimin evropian, si dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e institucionit.
Gjatë seancës, kryetari i Autoritetit të Konkurrencës ngriti edhe çështjen e trajtimit financiar të anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës, duke e cilësuar atë si një problem që ndikon në hierarkinë dhe përgjegjësitë institucionale.
Biba vuri në dukje se sekretari i përgjithshëm dhe drejtorët e Autoritetit kanë paga më të larta se kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Konkurrencës, ndonëse këta të fundit janë vendimmarrësit përfundimtarë të institucionit.
“Sekretari i përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës e ka pagën më të lartë se mua, kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, dhe të gjithë drejtorët e Autoritetit të Konkurrencës e kanë pagën më të lartë sesa anëtarët e Komisionit të Konkurrencës”, deklaroi Biba, duke theksuar se kryetari dhe anëtarët e Komisionit janë ata që mbajnë përgjegjësinë ligjore për vendimmarrjen e institucionit.
/a.f/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
