E Premte, 6 Nëntor 2026

Konfindustria propozon heqjen e taksës së qarkullimit dhe tavan për çmimet e karburanteve - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Konfederata e Industrive të Shqipërisë (Konfindustria) i ka paraqitur sot Kuvendit kërkesat, vërejtjet dhe propozimet për projektpaketën fiskale 2027, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet e pritshme makroekonomike dhe ndikimin e politikave fiskale në konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Në dokumentin e saj, Konfindustria vlerëson se parashikimet për vitin 2027 janë pesimiste në disa tregues kryesorë ekonomikë, duke evidentuar si problematikë mungesën e konkurrencës në tregje, deficitin tregtar, rënien e prodhimit industrial dhe bujqësor, si dhe dobësitë institucionale.

Sipas Konfindustrisë një ndër arsyet kryesore është deficiti tregtar për vitin 2026 parashikohet të kalojë 5,8 miliardë euro, duke u rritur me mbi 200 milionë euro krahasuar me vitin 2025.

Po ashtu, industria pritet të vijojë trendin rënës për të pestin vit radhazi, ndërsa prodhimi bujqësor për të katërtin vit radhazi.

Konfindustria ngre shqetësimin edhe për konkurrueshmërinë në sektorin e turizmit, ndikimin e informalitetit në ekonomi, si dhe për politikat tregtare të vendeve konkurruese dhe mungesën e masave mbrojtëse nga institucionet vendore.

Një nga kërkesat kryesore të Konfindustrisë është heqja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant.

Sipas saj, në kushtet e mungesës së konkurrencës në tregun e karburanteve, ekziston rreziku që ulja e taksës të mos reflektohet plotësisht në çmimet për konsumatorët, por të përfundojë si fitim shtesë për operatorët e tregut.

“Në paketën fiskale nuk ka asnjë të dhënë shpjeguese sesi do të bëhet e mundur që ulja e çmimit të përcillet te konsumatorët, bizneset dhe qytetarët”, thuhet në letrën e Konfindustrisë.

Sa i përket propozimit për rritjen e taksave vjetore të mjeteve motorike, në mënyrë që të kompensohen të ardhurat e munguara nga heqja e taksës së qarkullimit, Konfindustria argumenton se kjo masë nuk do të sjellë ulje të barrës fiskale të transportit.

Sipas saj, zëvendësimi i një takse me një tjetër rrezikon të ruajë ose të rrisë kostot për qytetarët dhe bizneset, duke ndikuar negativisht në konkurrueshmërinë e industrisë, bujqësisë dhe shërbimeve vendore.

Konfindustria vlerëson se, nëse ulja e taksës së qarkullimit nuk reflektohet në çmimet e karburanteve, konsumatorët mund të përballen njëkohësisht me taksa më të larta vjetore të automjeteve dhe me çmime të pandryshuara të karburanteve.

Në këtë kuadër, Konfindustria propozon që taksat vjetore të mjeteve motorike të mos jenë më të larta se mesatarja e vendeve fqinje, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Gjithashtu, ajo kërkon vendosjen e një tavani ligjor për çmimet përfundimtare të karburanteve, bazuar në mesataren e çmimeve të vendeve të rajonit, si dhe krijimin e Entit Kombëtar të Karburanteve, në varësi të Kuvendit, për monitorimin e çmimeve, cilësisë, volumeve të shitjes dhe rezervave strategjike.

Konfindustria kërkon gjithashtu rishikimin e taksave të tjera mbi karburantet, forcimin e standardeve të cilësisë, luftën kundër kontrabandës dhe abuzimeve me sasitë e shitura, si dhe një reformë të plotë në sistemin e regjistrimit dhe taksimit të automjeteve.

Lidhur me propozimin për uljen e TVSH-së nga 20%, në 6% për 54 produkte ushqimore, Konfindustria shpreh shqetësimin për mungesën e një plani institucional që do të garantojë reflektimin e plotë të uljes së taksës në çmimet përfundimtare.

Konfindustria shpreh rezerva edhe për propozimin e rritjes së TVSH-së nga 20%, në 21%, duke kërkuar një debat të gjerë paraprak mbi pasojat ekonomike dhe financiare të kësaj mase.

Konfindustria vlerëson se projektpaketa fiskale 2027 duhet të rishikohet duke marrë në konsideratë ndikimin e masave të propozuara në kostot e prodhimit, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe fuqinë blerëse të qytetarëve, si dhe nevojën për të garantuar funksionimin e tregjeve në kushte të konkurrencës së ndershme.

/k.s/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›