Dervishi: Buxheti 2027 parashikon dy investime për mbrojtjen e të dhënave, regjistri i lobimit me mbështetjen e donatorëve të huaj - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) kërkon shtimin e 20 punonjësve dhe mbështetje financiare për investime në digjitalizimin e programeve të transparencës, në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2027.
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kryekomisioneri Besnik Dervishi evidentoi si problematikë kryesore mungesën e burimeve njerëzore, e cila, sipas tij, vijon prej vitesh pavarësisht rritjeve të pjesshme të numrit të punonjësve.
“Ne kemi kërkuar në total për buxhetin e vitit 2027 një shtim prej 20 punonjësish, ku plotësojnë kryesisht nevojat e mbrojtjes së të dhënave personale, një ose dy punonjës për të dhënat e hapura dhe përdorimin e informacionit, si dhe veçanërisht për lobimin”, tha Dervishi.
Ai theksoi se për regjistrin e lobimit institucioni ka aktualisht pesë punonjës, ndërsa ka kërkuar tetë, duke vlerësuar se ky numër do të ishte i realizueshëm edhe në raport me strukturat e ngjashme.
Një tjetër çështje e ngritur nga kryekomisioneri lidhet me investimet dhe nevojën për financim të projekteve që synojnë forcimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe transparencës së institucioneve publike.
Dervishi bëri të ditur se në projektbuxhet janë reflektuar dy investime të rëndësishme, të cilat do të prokurohen me vlerë të plotë dhe do të shtrihen në dy vite. Ndër projektet e përmendura janë implementimi i platformës “Threat Stream”, në funksion të mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe sistemi SIEM, për të cilin është realizuar 40% e implementimit.
Sipas tij, një ndër prioritetet kryesore mbetet digjitalizimi i programeve të transparencës, me synimin për të zgjeruar projektin nga 10-12 autoritete publike që ishin parashikuar fillimisht, në rreth 60-70 autoritete.
“Dhe besoj kjo do të ishte një arritje tejet e rëndësishme, sepse ka të bëjë me forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, pasi janë organet e vetëqeverisjes vendore që ndodhen më pranë qytetarëve, shoqërisë civile dhe medias”, u shpreh Dervishi.
Ai nënvizoi rëndësinë e programeve të transparencës si instrument për vënien në dispozicion të informacionit publik pa kërkesë paraprake, duke theksuar se objektivi i institucionit është krijimi i autoriteteve publike transparente dhe llogaridhënëse.
Kryekomisioneri informoi gjithashtu se regjistri i lobimit do të realizohet me mbështetjen e donatorëve të huaj, ndërsa për fushatën ndërgjegjësuese mbi të dhënat e hapura dhe mbrojtjen e të dhënave personale është miratuar një projekt binjakëzimi, i cili do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për realizimin e tij.
/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
