Bisedimet në Gjenevë për paqen, emisarët e Trump nisin takimet me delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë

Lufta në Ukrainë duket se ka mbërritur në një pikë kthese teksa palët janë ulur në tryezën e bisedimeve në Gjenevë. Vetëm pak orë pas një sulmi masiv rus me 400 dronë dhe 30 raketa që la pas viktima, delegacionet janë mbledhur me dyer të mbyllura në Zvicër. Takimi ndërmjetësohet nga emisarët e besuar të Presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët po tentojnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët.
Ukraina përfaqësohet nga figura kryesore të sigurisë si Rustem Umerov dhe Kyrylo Budanov, ndërsa Rusia ka dërguar ndihmësin e Putinit, Vladimir Medinsky. Edhe pse bisedimet po shihen me interes të madh, Kremlini ka ulur pritshmëritë duke deklaruar se nuk pret ndonjë lajm konkret gjatë ditës së sotme. Pengesa kryesore mbetet e njëjtë, pasi Moska kërkon zyrtarizimin e pushtimit të 20 përqind të territorit ukrainas, kusht që Kievi nuk e pranon.
Nga ana tjetër, Donald Trump ka shtuar presionin mbi Presidentin Zelensky duke deklaruar nga avioni presidencial se Ukraina duhet të vijë shpejt në tryezë. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, arritja e paqes do të jetë shumë e lehtë nëse ka vullnet, ndonëse ai ka shprehur dyshime për dëshirën e ukrainasve. Ky raund pason takimet e mëparshme në Abu Dabi, ku u arrit vetëm shkëmbimi i disa robërve të luftës mes dy vendeve.
/rtsh.al/