Bllokohet aksi Përmet–Çarçovë, apeli i Prefekturës: Mos kaloni te Ura e Petranit

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëmtime serioze në infrastrukturën rrugore të Qarkut Gjirokastër, duke çuar në ndërprerjen e qarkullimit në këtë aks të rëndësishëm.
Prefektura e Qarkut Gjirokastër ka njoftuar zyrtarisht se aksi rrugor “Përmet–Çarçovë” është bllokuar.
Bllokimi ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Petranit”. Sipas autoriteteve, shkak është bërë çarja e karrexhatës (trupit të rrugës) si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve dhe gërryerjes së tokës. Për momentin, kalimi është i pamundur dhe i rrezikshëm.
Mobilizimi në terren
Për menaxhimin e situatës, në vendngjarje ndodhen aktualisht strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër; strukturat e Emergjencave Civile; mjetet dhe ekspertët e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Po punohet intensivisht për të siguruar perimetrin dhe për të nisur ndërhyrjen për normalizimin e segmentit.
Prefektura apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjen në këtë aks rrugor deri në një njoftim të dytë. Gjithashtu, bëhet me dije se është rritur prezenca policore në të gjitha rrugët e qarkut për të ofruar ndihmë.
Për çdo rast emergjence, qytetarët ftohen të telefonojnë menjëherë në numrin pa pagesë 112.
/rtsh.al/