Dallgët i këputën spirancat, operacion shpëtimi në Portin e Durrësit, shpëtohet anija tregtare e cila rrezikoi cektinën

Moti i keq që ka përfshirë vendin nuk ka kursyer as zonën detare, duke shkaktuar situata emergjente në radën e Portit të Durrësit. Pak minuta më parë është finalizuar me sukses një operacion i vështirë shpëtimi ndaj anijes tregtare “Oak 1”.
Për shkak të erës së fortë dhe forcës së detit që kalonte mbi 6 ballë, anija ka pësuar një avari të rëndë teknike: këputjen e të dyja spirancave që e mbanin të stabilizuar.
Humbja e spirancave e la anijen në mëshirë të dallgëve, duke krijuar një rrezik real që mjeti lundrues të shtyhej nga rrymat dhe të përfundonte në cektinë, çka do të sillte dëme të mëdha materiale dhe rrezik mjedisor.
Gazetari i RTSH 24 raporton se “Kapiteneria e Portit Durrës, në koordinim të ngushtë me ASHD (Autoritetin Shtetëror të Detyrimit), reagoi menjëherë duke nisur një operacion rimorkimi. Protagonist i këtij shpëtimi u bë rimorkiatori ”Epidamn II”, nën drejtimin e kapitenit, Petrit Cila.”
Pavarësisht kushteve të vështira të lundrimit, rimorkiatori arriti t’i afrohej anijes “Oak 1” dhe të realizonte lidhjen e saj.
Burime nga Kapiteneria konfirmojnë se rreziku është shmangur. Anija pas rimorkimit u ankorua e sigurt në Kalatën Nr. 5 të Portit të Durrësit, ku do t’i nënshtrohet riparimeve të nevojshme.
/rtsh.al/