E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: “Durana” si inceneratorët, parku teknologjik nuk ekziston

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh sot nga Xhafzotaj e Durrësit se “Durana Tech Park”, një qendër ku operojnë një numër i madh biznesesh në fushën e teknologjisë dhe të Start-up-eve, është thjesht dhe vetëm një livadh.

“Kjo zonë gëzon status të veçantë, dhe është një parajsë fiskale për zhvillimin ekonomik dhe ku operojnë, të paktën, 46 kompani në fushën e teknologjisë, por numri i tyre, në fakt, llogaritet të jetë mbi 100. E ngjashme me skemën kriminale të inceneratorëve, nuk ka një tullë të vendosur e jo më të flitet për një park Teknologjik.  Parku ekziston vetëm në këtë projekt 3D të Edi Ramës”, u shpeh Blushi.

Sipas Blushit, “Durana Tech Park” rezulton e regjistruar në 20 shkurt të vitit të kaluar, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku kompanitë përfitojnë 0% tatim mbi fitimin për një periudhë 15-vjeçare për të gjitha të ardhurat që gjenerojnë nga veprimtari.

“Përjashtim nga TVSH-ja për mallrat dhe shërbimet e përdorura për qëllime kërkimi dhe zhvillimi. Lehtësime në sigurimet shoqërore, ku kontributet mund të paguhen mbi bazën e pagës minimale për një periudhë të caktuar. Përjashtim nga të gjitha taksat për një periudhë 10-vjeçare për pagat e personelit që punon në kërkim-zhvillim në këtë park inekzistent”, tha Blushi.

Sekretari i Përgjitshëm i PL-së, i bëri ftesë SPAK-ut që të vizitojë livadhin dhe të tregojë godinën e “Durana Tech Park”, për të cilën sipas Blushit u dhanë edhe certifikatat e para dhe u njoftua se të paktën 40 rezidentë ndodheshin në këtë godinë.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›