Blushi: KE rrëzon “paqen fiskale” të qeverisë, rrezikon procesin e integrimit

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë në një deklaratë për mediet tha sot se Komisioni Evropian ka rrëzuar “paqen fiskale” të propozuar nga qeveria për bizneset gjatë fushatës elektorale të 11 majit dhe që “parashikonte fshirjen e 1,6 miliard euro borxhe të bizneseve ndaj shtetit shqiptar”.
Blushi tha se kjo “paqe” ishte një “krim flagrant elektoral në funksion të blerjes së votave”.
Sipas Blushit, “Komisioni Europian ka konfirmuar qartësisht se nuk është pyetur për këtë iniciativë, duke paralajmëruar se nëse nisma miratohet mund të ndikojë negativisht në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe do të trajtohet si çështje serioze gjatë negociatave për kapitujt përkatës të Acquis të BE-së”.
“Kjo është një dëshmi shumë e qartë se si qeveria shqiptare në mënyrë të njëanshme, duke anashkaluar standardet europiane dhe duke politizuar çështje të ndjeshme fiskale për përfitime të momentit, përdori “paqen fiskale” për blerjen e votave më 11 maj, duke rrezikuar seriozisht bllokimin e procesit të integrimit europian”, tha Blushi.
Blushi shtoi se “Shqipëria meriton një model të qartë ekonomik që mbështetet te nxitja e prodhimit, te rritja e eksporteve, tek ekonomia e dijes, te liria dhe klima miqësore ndaj biznesit, tek ulja e barrës fiskale dhe formalizimi i ekonomisë, te garantimi i të ardhurave jetike për shtresat më në nevojë dhe sidomos te konsolidimi dhe zgjerimi i shtresës së mesme të shoqërisë”.
/m.q//a.f//r.e/